Vetëm 1 për qind e viktimave denoncojnë rastet – shumica e autorëve janë persona të njohur për fëmijët
Shkup – Të paktën një në dhjetë fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç në Maqedoninë e Veriut është përballur, brenda një periudhe njëvjeçare, me eksploatim seksual ose keqtrajtim të lidhur me përdorimin e teknologjisë. Sipas të dhënave të prezantuara nga UNICEF-i, numri i fëmijëve të prekur mund të arrijë deri në 12 mijë.
Shifrat nxjerrin në pah edhe një tjetër problem serioz: mungesën e denoncimeve. Vetëm rreth 1 për qind e fëmijëve që kanë përjetuar raste të tilla kanë raportuar abuzimin tek autoritetet ose personat përgjegjës.
Në shumicën e rasteve, kërcënimi nuk vjen nga persona të panjohur. Sipas të dhënave, në 78 për qind të rasteve autori ishte dikush që fëmija e njihte – mik, partner, i njohur apo edhe anëtar i familjes.
Rrjetet sociale mbeten ndër hapësirat kryesore ku ndodhin këto forma të abuzimit. Më shumë se gjysma e incidenteve janë të lidhura me platformat e mediave sociale, ndërsa rreth 30 për qind kanë ndodhur në platformat e lojërave online.
“Besoj që të gjithë pajtohen me mua që nga fëmijët nuk mund të pritet dhe nuk duhet të pritet që ta mbrojnë veten prej keqtrajtimit, sepse përgjegjësia është e jona, e personave të rritur”, deklaroi Lesley Miller, përfaqësuese e UNICEF-it në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi nevojën për parandalimin e dhunës, reagim efektiv dhe krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët.
“Dhoma Publike”, një rast që tronditi opinionin
Një nga rastet që nxori në pah rrezikun e abuzimit të fëmijëve në internet ishte grupi në Telegram i njohur për publikun si “Dhoma Publike”. Rasti u zbulua në fillim të vitit 2021, pasi viktimat ngritën alarmin për shpërndarjen e materialeve dhe abuzimin përmes rrjeteve sociale.
Çështja përfundoi në gjykatë. Gjykata Penale në Shkup dënoi krijuesin e grupit, Darko Kostovski, dhe administratorin Mihail Panevski me nga katër vjet burg secilin. Ata u akuzuan për prodhim dhe shpërndarje të pornografisë me fëmijë.
Sipas vendimit gjyqësor, gjatë periudhës nga dhjetori 2019 deri në janar 2020, administratorët kishin kontroll mbi përmbajtjen tekstuale dhe audiovizuale të publikuar nga anëtarët e grupit. Gjykata vlerësoi se ata kishin lejuar që në grup të qarkullonte përmbajtje që përshkruante akte seksuale me fëmijë.
Pas zbulimit të rastit, Telegrami mbylli grupin, ndërsa policia arrestoi personat përgjegjës. Megjithatë, tentativat për krijimin e grupeve të ngjashme treguan se problemi nuk mund të zgjidhej vetëm me mbylljen e një platforme.
Përgjegjësia është e të rriturve
Të dhënat e UNICEF-it tregojnë se mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale kërkon angazhim të institucioneve, prindërve, shkollave, kompanive teknologjike dhe vetë platformave online.
Ekspertët theksojnë se fëmijët nuk mund të mbajnë barrën e parandalimit dhe raportimit të abuzimit. Për këtë arsye, rritja e ndërgjegjësimit, edukimi digjital, mekanizmat e lehtë për denoncim dhe reagimi i shpejtë i institucioneve mbeten thelbësore. Alarmi i UNICEF-it tregon se pas ekranit dhe profileve online fshihen mijëra raste që mund të mos raportohen kurrë. Përballë kësaj situate, mbrojtja e fëmijëve në internet nuk është vetëm çështje teknologjie, por përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shoqërisë, transmeton alsatmk.










