Ekonomia shqiptare mund të gjenerojë 4–7 miliardë euro prodhim shtesë kumulativ deri në vitin 2030. Projeksioni mund të kthehet në realitet nëse efektiviteti i luftës kundër korrupsionit do të veprojë duke e ulur me 25–30%.
Angazhimi do të parakuptonte kthimin e kësaj lufte në investimin dhe rendimentin më të lartë për vendin.
“Në një projeksion që Shqipëria deri në 2030 e aplikon ndryshe me masat më të forta ligjore dhe rregullatore, me masa më të forta fiskale dhe buxhetore, me pjesën më të madhe të ndikimit të shoqërisë civile dhe të elementëve që ndodhen jashtë qeverisë me qëllim monitorimin dhe një dixhitalizim shumë më efektiv në ato pjesë që janë më problematike dhe që ndikojnë direkt. Natyrisht që ekonomia përfiton deri në 4 miliardë euro.”
E njohur ndryshe edhe si taksa e fshehtë, një kosto direkte fiskale arrin sipas përllogaritjeve 650–810 milionë euro (8–10% e shpenzimeve publike), ndërsa efekti indirekt ul rritjen reale të PBB-së me 0.73–1.10 pikë përqindje çdo vit.
“Të rritet pjesë e konkurrueshmërisë, të ketë një qasje më të hapur dhe transparente ndaj burimeve publike, edhe një rritje të transparencës fiskale dhe të luftës ndaj informalitetit, të cilat të gjitha së bashku ndikojnë pikërisht te funksioni nga njëra anë një transparencë në buxhetin publik dhe të shkojnë aty ku duhen për të mos humbur ajo pjesë rrugës dhe nga ana tjetër një forcim i disiplinës fiskale.”- u shpreh eksperti Eduard Gjokutaj.
Në një këndvështrim tjetër, indeksi i Mirëqenies së Humbur (IMH) është 22–29%, që do të thotë se humbja e efektivitetit për këtë shkak ndikon deri në një të tretën e buxhetit për arsim, shëndetësi dhe mbështetje sociale.
“Nëse do të aktivizohen të gjithë instrumentet që nga instrumentet politike me një fuqizim të rolit të SPAK-ut i cili duhet të punojë i sinkronizuar me gjithë institucionet ligjzbatuese, por nga ana tjetër me një përfshirje shumë më të fortë të shoqërisë civile dhe të gjithë atyre watchdog-ëve të cilët duhet të luajnë rolin në një shoqëri demokratike dhe nga ana tjetër një demokratizim i ekonomisë duke e diversifikuar, duke ulur ndërhyrjen e shtetit në ekonomi e cila shikohet si e dëmshme në një ekonomi liberale.
Nga ana tjetër edhe një sintetizim i gjithë atyre ligjeve që zbatohen përgjysmë apo miratohen për efekte më së shumti politike, por që nuk arrijnë dot të japin efektin e tyre deri në atë objektiv që kanë.”, transmeton rtsh.




