POSTIMET E FUNDIT

Gjirokastra, destinacion i turistëve gjerman

Turistët gjermanë po shfaqin gjithnjë e më shumë interes për Gjirokastrën, duke e kthyer qytetin historik në një nga destinacionet e preferuara të tyre në Shqipëri. Të tërhequr nga arkitektura karakteristike, kalldrëmet e vjetra dhe trashëgimia kulturore, vizitorët nga Gjermania po e eksplorojnë qytetin me kuriozitet të madh.

Renata dhe Wolfgang, një çift nga Gjermania, kanë zgjedhur të vizitojnë Gjirokastrën këtë pranverë, duke e përfshirë atë në udhëtim e tyre  të gjatë në Shqipëri.

 “Ne po e vizitojmë Gjirokastrën në pranverë për shkak të motit. Për ne është moti i bukur, sepse nuk na pëlqen nxehtësia e verës. Është hera e parë këtu. Kemi folur për këtë destinacion prej dy apo tre vitesh që duam të vijmë këtu. Vendosëm ta bëjmë këtë udhëtim tani sepse të dy jemi në pension dhe kemi kohë, gjashtë javë po udhëtojmë së bashku. Do të qëndrojmë këtu në Gjirokastër për dy ditë, sepse udhëzuesi ynë turistik na tha që është një qytet shumë i bukur”, u shpreh turistja.

“Na pëlqeu shumë rruga për në kala. E bëmë në këmbë dhe vetë rruga ishte shumë e bukur, vërtet e këndshme. Shqiptarët janë shumë, shumë të mirë. Nuk kemi pasur asnjë përvojë të keqe, përkundrazi. Të gjithë janë shumë të sjellshëm, të ngrohtë dhe shumë ndihmues, thjesht të mrekullueshëm”, tha turisti.

Ata tregojnë se ideja për të vizituar vendin ka qenë e hershme, por këtë herë e realizuan pas daljes në pension, duke pasur më shumë kohë për të udhëtuar dhe për të njohur kultura të reja. Sipas tyre, Shqipëria ka qenë një zbulim i këndshëm dhe i papritur, për shkak të mungesës së informacionit të mëparshëm.

“Shqipërinë kemi pasur dëshirë ta vizitojmë, por nuk e njihnim mirë sepse informacioni ka qenë i kufizuar. Tani që po e zbulojmë vetë, jemi shumë të surprizuar nga ajo që po shohim. Është një vend që na ka pëlqyer shumë dhe që po e njohim me kënaqësi gjatë këtij udhëtimi”, tha ai.

Gjatë qëndrimit të tyre në Gjirokastër, çifti gjerman është shprehur i impresionuar nga qyteti i vjetër, kalaja dhe rruga që të çon drejt saj, të cilën e kanë përshkuar në këmbë duke e vlerësuar si shumë të bukur dhe të veçantë. Ata kanë vlerësuar gjithashtu mikpritjen e banorëve, duke i cilësuar shqiptarët si shumë të sjellshëm, të ngrohtë dhe ndihmues. Në përfundim, ata shprehen se Gjirokastra dhe Shqipëria në përgjithësi janë destinacione që ia vlejnë të vizitohen dhe që do t’i rekomandonin me bindje të plotë, transmeton rtsh nga B.Pëllumbi.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB