POSTIMET E FUNDIT

Dita Konsullore në Frauenfeld – Një urë lidhëse mes mërgatës dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut

FRAUENFELD, 6 Qershor 2026 – Në një atmosferë të ngrohtë, miqësore dhe tejet profesionale, në qytetin Frauenfeld të Kantonit të Thurgaut siç mëson helveticALForum.ch u realizua me sukses të plotë aktiviteti “Dita Konsullore”, organizuar nga Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër dhe Xhaminë Mesxhidi Nur në Frauenfeld. Ky aktivitet kishte për qëllim afrimin e shërbimeve konsullore pranë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që jetojnë në Zvicër, veçanërisht për bashkëatdhetarët që banojnë në kantonet Cyrih, Thurgau, St. Gallen, Schaffhausen dhe rajonet përreth, të cilët shpeshherë përballen me vështirësi për të udhëtuar deri në Bernë për të kryer procedurat e nevojshme administrative dhe konsullore.

Mikpritja e shkëlqyer e Xhamisë Mesxhidi Nur dhe angazhimi i kryesisë së saj, të udhëhequr nga kryetari z. Ilham Mustafi, krijuan kushte të shkëlqyera pune dhe një ambient vëllazëror për të gjithë pjesëmarrësit. Qytetarët e pranishëm patën mundësinë të marrin informacione të drejtpërdrejta dhe të kryejnë një sërë shërbimesh konsullore pa pasur nevojë të udhëtojnë larg vendbanimeve të tyre. Një rol të veçantë në suksesin e këtij aktiviteti pati Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, e përfaqësuar nga Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Rexhep Demiri, dhe zëvendësambasadorja Valmira Sela-Sopa. Me përkushtim, profesionalizëm dhe një qasje të afërt ndaj qytetarëve, ata informuan mërgatën për procedurat konsullore, shërbimet që ofron ambasada, si dhe për rëndësinë e pajisjes me dokumente identifikimi, veçanërisht për të rinjtë që mbushin moshën 16-vjeçare.

Shkëlqesia e Tij, Ambasadori Rexhep Demiri, u vlerësua veçanërisht nga të pranishmit për modestinë, gatishmërinë dhe profesionalizmin e tij të lartë. Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, ai vazhdon të ofrojë dhe të promovojë shërbimet e ambasadës në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e afruar institucionin diplomatik me mërgatën tonë dhe duke dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj nevojave të bashkëatdhetarëve në Zvicër.

Gjatë Ditës Konsullore u realizuan një numër i konsiderueshëm shërbimesh, ndër të cilat lëshimi i fletë-udhëtimeve, autorizimet për regjistrimin e fëmijëve të porsalindur dhe procedura të tjera administrative me interes për qytetarët. Veçanërisht inkurajues ishte numri i madh i familjeve që shfrytëzuan këtë mundësi, duke kursyer kohë dhe shpenzime dhe duke marrë shërbime cilësore pranë vendbanimeve të tyre. Në shenjë mirënjohjeje për bashkëpunimin dhe kontributin në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm, Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim ndau Mirënjohje për Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër dhe për Xhaminë Mesxhidi Nur në Frauenfeld.

Në emër të Unionit, kryetari Kasam Selimi, nënkryetari Baftir Nuredini, arkëtari Ilir Tairi dhe anëtari i kuvendit Hekurim Islami shprehën falënderimet e tyre të sinqerta për Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin Rexhep Demiri dhe ekipin e ambasadës, si dhe për kryetarin e Xhamisë Mesxhidi Nur, z. Ilham Mustafi, dhe stafin e tij, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkushtimin që mundësuan organizimin dhe realizimin e suksesshëm të kësaj dite. Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të organizatave të mërgatës në shërbim të qytetarëve.

Dita Konsullore ishte pjesë e programit vjetor të aktiviteteve të Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim për vitin 2026 dhe paraqet një shembull konkret të angazhimit për lehtësimin e shërbimeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet mërgatës dhe institucioneve shtetërore. Suksesi i kësaj dite konfirmon nevojën që iniciativa të tilla të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke sjellë institucionet më pranë qytetarëve dhe duke forcuar lidhjet e mërgatës sonë me vendlindjen, transmeton Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB