Gjatë një vizite në një ndeshje bejsbolli në San Diego, Granit Xhaka dhe Ricardo Rodriguez janë shfaqur në ekranin gjigant të stadiumit duke bërë simbolin e shqiponjës dykrenare. Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) ka reaguar lidhur me këtë moment. Pas ndeshjes së fundit testuese para Kupës së Botës ndaj Australisë, futbollistët e Zvicrës morën një mbrëmje të lirë dhe vendosën të ndjekin së bashku një ndeshje të ekipit të bejsbollit San Diego Padres. Gjatë takimit në stadiumin “Petco Park”, kamerat fokusuan kombëtaren zvicerane, e cila u shfaq në ekranin e madh si “Swiss National Soccer Team”.
Lojtarët e Zvicrës u panë në humor të mirë, ndërsa Granit Xhaka dhe Ricardo Rodriguez bënë me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, që lidhet me flamurin kombëtar shqiptar. Ky gjest kishte shkaktuar debat të madh në Zvicër gjatë Kupës së Botës 2018, kur Xhaka, Shaqiri dhe bashkëlojtarët festuan ndaj Serbisë me të njëjtin simbol, i cili u interpretua si deklaratë politike dhe më pas u ndëshkua me gjobë”, shkruan media zvicerane “Bluewin”.
Në një deklaratë për “blue Sport”, Federata Zvicerane e Futbollit dha sqarimin e saj.
“Që gjatë ndeshjes miqësore ndaj Australisë, shumë persona me prejardhje shqiptare ishin në stadium dhe mbështetën fuqishëm Granitin dhe ekipin kombëtar zviceran. Granit Xhaka, si edhe disa lojtarë të tjerë, gjetën kohë pas ndeshjes për autografe dhe fotografi”, thuhet në reagim.
Federata shtoi më tej: “Në mbrëmje, ai shfrytëzoi rastin për të përshëndetur edhe një herë komunitetin shqiptar. Kjo skenë nuk ndodhi në fushë dhe nuk ishte pjesë e zhvillimeve sportive”./K.Goca/BS




