POSTIMET E FUNDIT

Deputetja kantonale Dr. med. Lejla Salihu pritet në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih

Cyrih, 17 qershor 2026 – Shefi i Misionit në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, ka realizuar sot një takim me një prej personaliteteve më të suksesshme të mërgatës shqiptare në Zvicër, Dr. med. Lejla Salihu. Siç mëson HelveticALForum.ch, gjatë vizitës u diskutua për çështje me interes të përbashkët, duke vlerësuar kontributin e saj në fushën e mjekësisë, politikës dhe jetës publike në Zvicër.

Duke e përshkruar këtë vizitë, z. Vigan Berisha është shprehur:

Sukseset e Mërgatës | Dr.med. Lejla Salihu

“Sot patëm kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Deputeten Kantonale, Dr.med. Lejla Salihu, një prej personaliteteve të dalluara të mërgatës sonë në Zvicër. Dr.med. Salihu, ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në fushën e mjekësisë dhe shëndetit publik. Si mjeke drejtuese e shërbimit shëndetësor shkollor në Cyrih, ajo është e angazhuar në mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve dhe të rinjve, parandalimin e problemeve shëndetësore dhe zhvillimin e programeve që kontribuojnë në mirëqenien e nxënësve dhe komunitetit. Krahas angazhimit të saj profesional, ajo jep kontribut të rëndësishëm edhe në jetën institucionale të Kantonit të Cyrihut si deputete e Parlamentit Kantonal dhe anëtare e Komisionit për Arsim dhe Kulturë. Veprimtaria e saj publike fokusohet në çështje që lidhen me shëndetin publik, arsimin, mbështetjen e familjeve dhe avancimin e politikave sociale, duke kombinuar përvojën profesionale me angazhimin në shërbim të qytetarëve. Gjatë takimit biseduam për tema me interes të përbashkët, duke vënë theksin te arsimi, shëndeti publik, integrimi dhe roli i rëndësishëm që mërgata jonë luan në forcimin e lidhjeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane. Arritjet e bashkatdhetarëve tanë në fusha të ndryshme profesionale dhe institucionale janë burim krenarie për të gjithë ne dhe dëshmi e potencialit, përkushtimit dhe vlerave që mërgata jonë vazhdon të promovojë në shoqërinë zvicerane.”

Takime të tilla janë realizuar edhe më herët nga shefi i Misionit, z. Vigan Berisha, me personalitete të suksesshme të mërgatës sonë në Zvicër. Këto aktivitete dëshmojnë përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të vlerësuar dhe nderuar arritjet e bashkatdhetarëve tanë, të cilët me sukseset e tyre profesionale dhe shoqërore përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Njëkohësisht, ato tregojnë se shteti i Kosovës i çmon dhe krenohet me kontributin e mërgatës, e cila vazhdon të jetë një urë e rëndësishme lidhëse mes Kosovës dhe vendeve ku jeton e vepron, transmeton helveticALForum.ch.

Foto nga Konsullata e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB