Dasma tradicionale gjirokastrite, një prej krenarive të shumta të qytetit të gurtë, u risoll, për dy mbrëmje rresht, bazuar në librin e shkrimtares Musine Kokalari, ashtu siç ajo e ka paraqitur në librin e saj “Sa u tund jeta”, botuar vetëm disa muaj pas çlirimit të Shqipërisë.
Ky event synon mbajtjen gjallë të kësaj pjese të çmuar të identitetit tonë kombëtar por edhe prezantimin e tij tek turistët e shumtë që e vizitojnë Gjirokastrën.
“Flitet për zakonet, traditat e shumë viteve më parë që i ka vetëm Gjirokastra dhe ndryshojnë nga të tjerat dhe mundohemi që ti ruajmë këto tradita me qëllim që tja kujtojmë brezit të ri”, u shpreh Stefan Arseni, specialist kulture.
Ky event bëri bashkë artistë popullorë të këngës dhe valles tradicionale, por edhe aktorë amatorë që interpretuan të gjitha ritet e kësaj dasme, të cilat tërhoqën turistët.
“Vij nga Irlanda për herë të parë në Shqipëri dhe ajo që përjetuam sot në Gjirokastër ishte një mrekulli”, u shpreh një turist.
“Jam nga Austria, e kam shijuar shumë këtë shfaqje sonte ishte interesante dhe shumë argëtuese”, tha një turiste tjetër.
Nga organizatorët është hedhur ideja që spektakli i ngjyrave, këngëve valleve e riteve të kthehet në i përditshëm gjatë sezonit turistik. Ky organizim u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Bashkia Gjirokastër. /Y. Ponde, transmeton rtsh.




