BallinaKulturaRRËNJËT QË NUK VDESIN

RRËNJËT QË NUK VDESIN

-

Nga Dashnim HEBIBI

Katër mijë vjet
në mes të dritës dhe errësirës,
mes atij që ngre dorën për të mbrojtur
dhe atij që ngre dorën për të shkelur.
Kanë ndryshuar shpatat,
kanë ndryshuar emrat,
kanë ndryshuar mënyrat e dhunës,
por dhimbja…
dhimbja e tokës sonë
ende e njeh zërin e vet.

Sot nuk të vijnë gjithmonë me shpatë.
Ndonjëherë të vijnë me “buzëqeshje”,
me fjalë të bukura,
me përbuzje të fshehur,
me një dorë që të prek supin
dhe një tjetër që përpiqet
të të fshijë nga kujtesa.

Por toka nuk harrohet.

Ajo ka alfabetin e vet.
E shkruan historinë me gjakun e dëshmorëve,
me dijen e mentarëve,
me lotin e nënave,
me duart e baballarëve
që punuan gur më gur
që ne të mos mbeteshim pa atdhe në shpirt.

Dhe nëse do të dish
çfarë ka ndodhur këtu,
mos pyet vetëm librat.

Ulu pranë një lisi.

Preke trungun.

Dëgjoje heshtjen e tij.

Sepse rrënjët e tij
kanë dëgjuar më shumë histori
se sa mund të mbajë një bibliotekë.

Presheva, Bujanoci e Medvegja,

me rrethinat e tyre

ishin, janë dhe do të mbeten
 Shqipëria Verilindore

në kujtesën tonë,


në gjuhën tonë,

në gjakun tonë,


në këngët që nuk u shuan.

Ato nuk janë një degë e harruar.
Janë degë të të njëjtit lis te Molla e Kuqe—
dhe një lis nuk pushon së qeni lis
vetëm pse stuhia i ka larguar degët.

Mund t’i ndajnë kufijtë,
mund t’i ndërrojnë hartat,
mund t’i vënë emra të rinj vendeve,
por nuk ka vijë në hartë
që mund ta presë një rrënjë nga kujtesa.

Sepse rrënjët nuk kalben nga kalemxhiu.
Nuk zhduken me urdhër.
Nuk heshtin nga frika.

Ato presin.

Presin shiun.
Presin pranverën.
Presin një zë që t’u thotë:
“Ju ende jeni këtu.”

Dhe unë e di—

në çdo gacë prushi
fshihet një diell i vogël.

Mjafton një fjalë e shpirtit
t’i japë frymë.

Prandaj mos ma kërko
ta flak dhimbjen.

Ajo nuk është vetëm dhimbja ime.

Është nëna që priti.
Është babai që heshti.
Është dëshmori që ra.
Është dijetari që shkroi.
Është fëmija që mësoi shqipen
mes një bote që donte t’ia harronte.

Dhe nëse më shkelni,
mos mendoni se jam rrëzuar.

Jam tokë.

Nëse më nënçmoni,
mos mendoni se jam zvogëluar.

Jam rrënjë.

Nëse ma mbyllni gojën,
mos mendoni se jam heshtur.

Jam prush.

Sepse disa popuj
mund të plagosen.

Por ka rrënjë
që edhe kur i mbulon dheu,
nuk vdesin.

Ato presin vetëm një pranverë
për t’u bërë përsëri lis.

Cyrih, 24 gusht, 2026

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Topi i golit të shënuar nga Diego Maradona me “Dorën e...

0
Topi me të cilin Diego Maradona shënoi me dorë, gjatë ndeshjes Argjentinë-Angli në Kupën e Botës 1986, u shit në një ankand për 3.355.000...