BallinaEKSKLUZIVEBËHU VETËM NJË HERË TRIM!

BËHU VETËM NJË HERË TRIM!

-

Nga Mehmet ELEZI, publicist, shkrimtar, gjuhëtar dhe diplomat

I ngjan Enverit: projekt i huaj, jo projekt shqiptar. Njësoj si ai, u katapultove nga kabaretë e Parisit në piramidën shtetërore të Tiranës. Si garanci për sponsorët, ke lënë në hipotekë përkushtimin e plotë ndaj një strategjie të zezë, raciste, që shkon më larg se mpiksja jote në pushtet. Dy shtyllat e kësaj strategjie janë:

– Zhbërja e Shqipërisë.

– Zhbimja e shqiptarëve.

Pak pas zgjedhjeve të 1997-ës, “të pranueshme për momentin”, sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, një shqiptar i Kosovës me punë në Tiranë, shkroi te gazeta “Koha jonë” çka i kish kapur veshi te një kabinë telefonike. Një gjatosh i ri, me xhup të zi e me kokë rrumbullake, fliste me dikë në Beograd. Ç’t’i bësh se është Kosova në mes, kishte thënë qenia e gjatë, se do t’i kishim bërë një Tiranën me Beogradin! Autori i atij shkrimi sot jeton në Prishtinë, është emër i njohur i letrave. Nuk e di kush ka qenë njeriu i kabinës telefonike, por asokohe shumë lexues e identifikuan me ty. Fatos Nano sapo të kish sjellë nga Parisi “me thonj të paprerë” dhe para shqiptarëve po përvijoheshe si tip tjetër politikani. Për dikë – maverick; për shumëkënd – me çrregullime thelbësore të personalitetit, me probleme të shëndetit mendor.

Në kulmin e fuqisë së kovidit solle disa vaksina në rrugë misterioze, “me trastë”, u tha, jo me marrëveshje ndërshtetërore. Dhe deklarove se të parët do të vaksinohen “personalitetet”. “Personalitetet” do t’i zgjidhje ti. Ti do të vendosje kush do të shpëtohet e kush do të vdesë. More hijen e Zotit.

Në Shqipëri nuk ishim përballur kurrë me një racizëm kaq të hapur shtetëror. Pa folur për betimin e Hipokratit, dy mijë vjet përpara, edhe në diktaturë formalisht vaksinoheshin të gjithë. Në të drejtën dokesore shqiptare, gjaku është i barabartë, gjaku i princit e gjaku i shërbetorit vlejnë njësoj.

Dhe kush ishin personalitetet, që nuk mund të thuhet se e nderuan veten, duke parakaluar para kamerave drejt bluzave të bardha me shiringë në dorë? Disa emra kryesisht nga bota e kulturës, veteranë. Nuk ishin përzgjedhur për shkak të vlerave, ishin përzgjedhur për shërbimet ndaj teje. Spektakli mbaroi, ekranet u mbyllën për shumicën e jetëve të humbura nga kovidi, të cilat sipas dëshmive të mëvonshme janë shumë më tepër se shifrat që ke dhënë ti. Tanket në sheshin Skenderbej i qite si alibi për këto vdekje.

Racizmi yt do të dëshmohej hapur sërish e sërish me diskriminimin e Veriut në investime e në poste publike, në përqeshjen ndaj idiomës gjuhësore, në urrejtjen ndaj Kosovës. Racizëm, si zgjedhje e ftohtë, në shërbim të pushtetit tënd. Ti mbërthehesh pas pushtetit si athinasi për të cilin flet Noli (sipas Herdodit): u kap pas një anijeje me dorën e majtë, ia prenë, u kap me të djathtën, ia prenë, u kap me dhëmbë. Vetëm kur ia prenë kokën, e lëshoi.

Dhe frytet e zhbërjes së Shqipërisë spikatin. Po ia shkatërron asetet që i ka prej mija vjetësh. Detin ia fale fqinjit jugor. Portin e lashtë strategjik të Durrësit, po e shndërron në tralala turistike dhe po e zëvendëson me një port “lodër” katër herë më të vogël. Tokën po ia grabit me investitorët strategjikë e me lloj-lloj mafiozësh. Nuk le gur pa luajtur për ta ndarë Kosovën, për t’i dhënë Serbisë në tepsi copa atdheu, sikur të ishin llokma byreku. Pasuritë po ia rjep me kriminelë e me narkotrafikantë, që më shumë të kanë nën sqetull se sa i ke. Ke privatizuar edhe buxhetin e shtetit, miliardat e taksave tona në bisht të sorrës. Çfarë investimi mbahet mend në katër mandatet e tua në krye të qeverisë? Kulturën po e than në rrënjë: shembe teatrin, rrenove kinematë, mbylle muzetë, shkollën e bëre të paqenë. Gjuha shqipe në kryqëzimin e ernave të globalizmit, nën çadrën e enverizmit gjuhësor të 1972-shit. Duke mos e pranuar Akademinë e Kosovës si të barabartë në hartimin e Fjalorit të madh të gjuhës shqipe, po i shërben një synimi të kaditshëm të Beogradit: çarjes së gjuhës shqipe në “dy gjuhë shqipe”. Se ku çon kjo, dihet.

Dhe familjes, historikisht qelizë e shenjtë e shqiptarëve dhe qelizë bazë e çdo shoqërie, i fute një virus rrenimtar në palcë.

Spikatin edhe frytet e zhbimjes së shqiptarëve. Ka pastrim etnik si Hitleri, si Stalini, si Milosheviçi dhe si i çamëve, me dhunë të drejtpërdrejtë; ka edhe si Vuçiçi në Luginë të Preshevës, pa u ndier; ka edhe shpopullim, si ky që bën ti. Ata që kanë mbetur po i vret çdo ditë. Në daç me metoda makabre si Ardit Gjoklajn. Në daç me varfëri e duke e shndërruar sistemin shëndetësor dhe krejt sistemin në pavionin e kancerozëve të Sollxhenjicinit. Në daç me gaz të helmuar e me gjakosje, siç po bën me lulen e rinisë shkollore, që kërkon dorëheqjen tënde.

Shqiptarëve po ua than djepet, po ua njom varret. Lindjet – si para njëqind vjetësh dhe në rënie të lirë. Rreth 700 mijë pensionistëve po ua përshpejton vdekjen.

– Pensionet, më të voglat në Europë.

– Kontrolli “si je” ose chek-up mbi 70 vjeç, mollë e ndalueme. Paçka se mosha e tretë ka nevojë më shumë se gjithkush për përkujdesje shëndetësore; paçka se kjo moshë është e vetmuar dhe i ka të ardhurat më të ulta; paçka se i ka paguar sigurimet shoqërore një jetë të tërë, kokërr në kokërr. Ua cakton kufirin e jetës, para se t’ua caktojë Zoti. Si kuajt e plakur, që i braktisin në pyll: hallisuni vetë, këtu ka më shumë bar se ujq!

Dhe vijojnë sjelljet cinike me ta:

– Çdo mars e çdo shtator, zvarrë-zvarrë, me karroca të gjymtuarish, me paterica, me kokrrat e tensionit e të zemrës në xhep, me kateter (ata me prostatë të rënduar), duke u dridhur së ftohti a duke iu marrë fryma në vapë, pensionistët e Shqipërisë duhet të shkojnë detyrimisht në bankë për “deklaratën e gjallesës”, për të treguar se janë gjallë. Përndryshe nuk u jepet pensioni. Pat qenë edhe në Kosovë një rregull i ngjashëm, e fshiu gjykata.

– Çdo muaj duhet të zënë radhë për të përtërirë abonenë e autobuzëve qytetës: abonetë me afat mbi një muaj janë të rrezikshme!

– Për ta mbyllur me një tallje të hollë, ku cinizmi fshihet dinakërisht. Çdo të moshuari që i mbaron afati i letërnjoftimit (ID), i jepet letërnjoftim i vlefshëm për… 50 vjet!

Ti i urren shqiptarët, e urren popullin. Thellë-thellë, më parë e urren veten. Kjo urrejtje vjen nga nënvetëdija. E ndien se qenia jote është tepër e varfër në vlera njerëzore, se je i parealizuar si njeri. Psikoanaliza ve në dukje se një vetëvlerësim i brishtë, një zili, një ndjenjë inferioriteti, një pjesë e mohuar e vetes, shpesh mbrohen përmes përçmimit dhe agresionit ndaj të tjerëve. Sa më e padurueshme të jetë për dikë ndjenja “jam i pavlerë”, aq më e fortë mund të bëhet nevoja për të gjetur dikë tjetër që është “i pavlerë”. Në këtë mënyrë, përçmimi e shkatërrimi i tjetrit mund të funksionojë si qetësues i komplekseve dhe dështimeve vetiake. Dhe pastaj kompensimi me delirin e madhështisë e narcisizëm.

Ti i urren shqiptarët, e urren popullin. Sepse ia ke frikën. Ia ke me hile popullit dhe e ndien se ai e kupton hilen tënde. Dhe i tutesh, i tutesh.

I ngjan prapë Enverit, frigacak si ai. Ka shkruar mbi njëqind “vepra”, të rënda si tullat, që lexoheshin aq sa lexohen tullat, dhe me gjithë mashtrimet e falsifikimet pa fund, kurrkund s’ka dëshmuar një trimëri vetiake, nuk shkruan se udhëhoqi një betejë, një aksion, se i zuri pritë armikut, se u përlesh, u gjakos. E vetmja trimëri që e përshkruan me tone epike në një libër të tërë, nuk është mësymje, është ikje, vetëm ikje. Ikje “heroike” nëpër male gjatë operacionit të dimrit, për t’u shpëtuar nazistëve që e ndiqnin. E vetmja trimëri me të cilën mburresh ti, nuk është ikje, është rrahje. Ata që i akuzon si dhunues, thonë se ka qenë thjesht dhunë pasioni. Pas togfjalëshit dhunë pasioni e ke qepur gojën.

Frikacaku është më i rrezikshëm se trimi. Trimi matet fort, vret i fundit, tutësi vret nga prapa ferrës. Shumë vrasje të shokëve gjatë luftës Enveri i bëri që prapa fustanit të një gruaje. I shkruante Nexhmijes të dekorohet akëcili, dhe dekorata nuk vononte: një plumb mbas shpine.

Ti u tutesh shokëve të tu. Prandaj s’ke bërë kurrë zgjedhje në partinë tënde. Druhesh se ta bëjnë tetëshin.

Ti u tutesh kundërshtarëve të tu. Prandaj nuk bën kurrë debat ballë për ballë me Sali Berishën. S’e përballon dot shikimin drejtpërdrejt në sy. S’e përballon dot me argumente.

Ti u tutesh shqiptarëve. Prandaj i rras në burg e i tërheq zvarrë për një faturë të papaguar. Prandaj po i masakron studentët e nxënësit që protestojnë. Ua ndërsen narkopolicët, duke u premtuar rritje rroge dhe 2500 euro bonus. Polici mercenare në një vend anëtar të NATO-s?!

Ti tutesh me e dhanë dorëheqjen. Sali Berisha e Fatos Nano kanë dhënë dorëheqje nga dy herë secili. Dorëheqja është akt guximi. Ti nuk e njeh guximin njerëzor. Bëhu trim e jepe dorëheqjen. Vetëm një herë trim. Dhe do të mbahesh mend. Sepse trimëria e tutësit mbahet mend, si diçka e pazakontë. Ndryshe nga trimëria e trimit, që nuk bie në sy, se është e pritshme, normale.

Ti i tutesh gjithkujt, edhe vetes.

E sheh jetën ose lulnajë pa fund, ose zift i zi. Por jeta nuk është bipolare. Mundohu me e këqyrë jetën me sy normal. Dhe do të fillosh me e kuptue më mirë.

Dorëhiqu.

Burrë i mençëm është ai që njeh Kohën dhe veten.

“Raama jepe dorëheeeqjen”

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Gjermania ashpërson kriteret për provimin e gjuhës DTZ, ndryshimet hyjnë në...

0
Kandidatët që synojnë të marrin nivelin B1 në provimin e gjermanishtes për emigrantët do të duhet të plotësojnë kritere të reja në secilën pjesë...

MOS E DIGJNI SHQIPËRINË!