POSTIMET E FUNDIT

Baleti Kombëtar i Kosovës mahnit publikun kolumbian me “Carmina Burana”

Baleti Kombëtar i Kosovës ka nisur turneun e tij artistik në Kolumbi me një paraqitje madhështore të veprës “Carmina Burana”, e realizuar me koreografi nga Toni Candeloro, në Teatro Pablo Tobón Uribe në Medellín.

Sipas njoftimit të Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Kosovës, shfaqja u mirëprit me entuziazëm të madh nga publiku kolumbian, i cili mbushi sallën e teatrit dhe shpërbleu performancën e artistëve kosovarë me duartrokitje të gjata.

Para fillimit të shfaqjes, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kolumbi, Artan Duraku, si dhe drejtori i përgjithshëm i teatrit, Juan Carlos Sánchez Restrepo, mbajtën fjalë rasti ku vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimeve kulturore ndërkombëtare dhe promovimit të artit dhe kulturës kosovare në arenën ndërkombëtare.

Atmosfera e krijuar gjatë mbrëmjes u cilësua si e veçantë, ndërsa interpretimi i trupës së baletit dëshmoi nivelin artistik dhe profesionalizmin e institucioneve kulturore të Kosovës. Turneu i Baleti Kombëtar i Kosovës në Kolumbi do të vazhdojë edhe në qytetet Cali dhe Bogotá, ku pritet që artistët kosovarë të prezantojnë para publikut kolumbian vlerat e artit skenik dhe kulturës së Kosovës, transmeton MKT, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB