Zagreb, 04 korrik 2026 – Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Australisë vazhdojnë të karakterizohen nga miqësia, besimi reciprok dhe bashkëpunimi i ngushtë diplomatik. Kjo u konfirmua gjatë një vizite kortezie që Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë, Dr. Martin Berishaj, priti në Ambasadën e Kosovës në Zagreb nga Ambasadori i Australisë, Shkëlqesia e Tij Glenn Robert Morrison, i cili me seli në Zagreb mbulon edhe Republikën e Kosovës, njofton helveticALForum.ch. Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku të dy diplomatët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet aktuale politike dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Bashkëbiseduesit riafirmuan se raportet ndërmjet Kosovës dhe Australisë mbështeten mbi vlera të përbashkëta demokratike, respektin reciprok dhe angazhimin për paqe, stabilitet dhe zhvillim.
Gjatë bisedës u theksua gatishmëria e të dy vendeve për të intensifikuar bashkëpunimin në sektorë të ndryshëm, përfshirë diplomacinë, ekonominë, arsimin, kulturën dhe shkëmbimet ndërinstitucionale. U vlerësua se ekziston potencial i konsiderueshëm për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, duke ndërtuar mbi partneritetin e deritanishëm dhe lidhjet e mira ndërmjet dy shteteve.
Ambasadori australian Glenn Robert Morrison shprehu vlerësimin e tij për progresin që ka shënuar Republika e Kosovës në konsolidimin e institucioneve demokratike dhe në proceset e zhvillimit shtetëror. Ai ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Australisë për shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për aspiratat e saj euroatlantike dhe angazhimin në forcimin e rolit ndërkombëtar.
Në këtë takim, Ambasadori Morrison shprehu gjithashtu konsideratë të veçantë për punën dhe angazhimin diplomatik të Ambasadorit Dr. Martin Berishaj, duke vlerësuar kontributin e tij në promovimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, forcimin e marrëdhënieve me vendet partnere dhe avancimin e bashkëpunimit diplomatik në rajon.
Nga ana e tij, Ambasadori Dr. Martin Berishaj falënderoi Australinë për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Kosovës në proceset e shtetndërtimit, fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe konsolidimit të pozitës së saj në arenën ndërkombëtare. Ai nënvizoi se përkrahja e Australisë ka qenë e rëndësishme në rrugëtimin e Kosovës drejt afirmimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të institucioneve demokratike.
Berishaj shprehu bindjen se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Australisë do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej, duke u mbështetur në miqësinë tradicionale, besimin reciprok dhe vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë. Takimi në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Zagreb u vlerësua si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Australisë, si dhe e përkushtimit të përbashkët për thellimin e partneritetit diplomatik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në të ardhmen, transmeton Ambsada e Kosovës në Zagreb, përcjell helveticALForum.ch.




