Cyrih, 04 korrik 2026 – Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka marrë pjesë në pritjen solemne të organizuar me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sipas burimeve të HelveticALForum.ch, ceremonia mblodhi përfaqësues diplomatikë, institucionalë dhe personalitete të jetës publike, duke shënuar një jubile të rëndësishëm në historinë e shtetit amerikan. Në këtë ngjarje festive, Berisha ishte i pranishëm së bashku me Udhëheqësen e Agjencisë Konsullore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Cyrih, Ellen Ann Delman, si dhe mysafirë të tjerë nga trupi diplomatik dhe institucionet vendore.
Me këtë rast, Berisha theksoi rëndësinë historike të këtij përvjetori, duke e cilësuar atë si një festë që simbolizon lirinë, demokracinë dhe përkushtimin ndaj vlerave universale që kanë frymëzuar breza të tërë në mbarë botën.
“Kisha kënaqësinë të marr pjesë, së bashku me Udhëheqësen e Agjencisë Konsullore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Cyrih, znj. Ellen Ann Delman, në pritjen solemne të organizuar me rastin e 250-vjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky jubile i rëndësishëm shënon 250 vjet histori, liri, demokraci dhe përkushtim ndaj vlerave që kanë frymëzuar breza të tërë”, u shpreh Berisha.
Ai vuri në pah edhe rëndësinë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Republikën e Kosovës, duke theksuar se partneriteti ndërmjet dy vendeve mbetet një nga shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleati ynë më i afërt dhe partneri ynë strategjik. Miqësia ndërmjet vendeve tona vazhdon të jetë e fortë dhe e bazuar në besim, respekt dhe bashkëpunim të ngushtë”, deklaroi ai.
Berisha shprehu gjithashtu mirënjohjen e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë vendit në momentet vendimtare të historisë së tij, duke filluar nga periudha e luftës, procesi i shtetndërtimit e deri te forcimi i institucioneve demokratike dhe konsolidimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih në këtë ceremoni u vlerësua si një tjetër dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe e angazhimit të vazhdueshëm të diplomacisë kosovare për kultivimin dhe forcimin e partneritetit me aleatin e saj më të rëndësishëm.
Në përfundim të mesazhit të tij, Berisha përcolli edhe një urim simbolik për popullin amerikan, duke thënë:
“Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”
Kremtimi i 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së u shënua me aktivitete të shumta në vende të ndryshme të botës, ku morën pjesë përfaqësues diplomatikë dhe institucionalë, duke riafirmuar rëndësinë e vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Për Kosovën, kjo ngjarje kishte një domethënie të veçantë, duke reflektuar miqësinë e gjatë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton helveticALForum.ch. / Përgatiti D. H




