Ish-presidenti i Kosovës dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas arrestimit të dy personave të tjerë në lidhje me rastin e kompanisë “Hirano” në Mitrovicë, pjesë e Grupit Mabetex, duke kërkuar hetim të plotë për dyshimet për keqpërdorime financiare dhe dëmtim të interesave të kompanisë.
Përmes një reagimi publik, Pacolli ka ngritur pretendime ndaj ish-përgjegjësit të kompanisë, Valon Lluka, duke e akuzuar për veprime të dyshuara mashtruese, të cilat, sipas tij, nuk kanë shkaktuar dëme vetëm për kompaninë dhe aksionarët, por kanë përfshirë edhe fondet e Bashkimit Evropian të dedikuara për zhvillimin e fabrikës. Sipas Pacollit, arrestimet e fundit e bëjnë edhe më të domosdoshëm hetimin e plotë të dyshimeve për parregullsi, të cilat, siç pretendon ai, janë denoncuar më herët. Në reagimin e tij, biznesmeni ka përmendur edhe kompani të tjera të Grupit Mabetex, në të cilat, sipas tij, ka vepruar Lluka. Pacolli pretendon se në disa prej tyre janë evidentuar parregullsi që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare.
Ai është ndalur edhe te projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në Shqipëri, duke kërkuar që çdo dyshim i mbështetur në prova të shqyrtohet nga institucionet kompetente të drejtësisë, përfshirë edhe organet përkatëse në Shqipëri.
“Aty ku shfaqet emri i Valon Llukës kërkohet sqarim! Nga drejtësia kërkojmë që roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund”, ka shkruar Pacolli.
Ai ka theksuar se qëllimi i tij nuk është hakmarrja apo ndëshkimi pa prova, por zbardhja e së vërtetës dhe garantimi i drejtësisë së barabartë për të gjithë.
“Kam kaluar dekada duke ndërtuar kompani dhe duke krijuar vende pune. U kam besuar njerëzve dhe u kam dhënë përgjegjësi, por askujt të drejtën ta keqpërdorë këtë besim”, ka deklaruar ai. Në përfundim, Pacolli ka bërë të ditur se do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat ligjorë për mbrojtjen e interesave të kompanive të tij, duke kërkuar që hetimet të shtrihen në të gjitha rastet ku, sipas tij, ekzistojnë dyshime për parregullsi, nga fabrika “Hirano” në Mitrovicë deri te projekti i aeroportit në Vlorë. Pretendimet e ngritura nga Behgjet Pacolli ndaj Valon Llukës janë deklarata të vetë biznesmenit dhe nuk përbëjnë fakte të provuara. Përgjegjësia eventuale penale e personave të përfshirë mund të përcaktohet vetëm nga organet kompetente të drejtësisë, në bazë të provave dhe një procesi të rregullt ligjor./BS










