Skënder Hita pritet në Romë nga homologu italian Vittorio Pisani. Dy vendet synojnë forcimin e operacioneve të përbashkëta kundër trafiqeve të paligjshme, krimit kibernetik dhe grupeve kriminale ndërkufitare.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim zyrtar në Romë me homologun e tij italian, Prefektin Vittorio Pisani, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë Italiane. Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe intensifikimi i luftës kundër kriminalitetit në të gjitha format e tij. Gjatë takimit, të dy drejtuesit vlerësuan marrëdhëniet e konsoliduara ndërmjet strukturave policore të Shqipërisë dhe Italisë, duke veçuar rezultatet e arritura përmes skuadrave të përbashkëta hetimore në goditjen e organizatave kriminale që veprojnë përtej kufijve shtetërorë. Këto struktura u vlerësuan si një model i suksesshëm bashkëpunimi në nivel evropian. Kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Policisë Italiane ndër vite, duke theksuar se ruajtja dhe zgjerimi i partneriteteve strategjike do të mbeten ndër prioritetet e drejtimit të tij. Hita nënvizoi gatishmërinë për të çuar edhe më tej marrëdhëniet e besimit dhe bashkëpunimit mes dy institucioneve, me qëllim përballimin më efikas të sfidave të përbashkëta të sigurisë. Nga ana e tij, homologu italian, Vittorio Pisani, rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Policisë Italiane për Policinë e Shtetit, duke vënë theksin te nevoja për intensifikimin e luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe krimeve kibernetike.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe vazhdimit të mbështetjes përmes monitorimit ajror, si një instrument i rëndësishëm për parandalimin dhe identifikimin e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike në territorin shqiptar. Takimi në Romë dëshmon rëndësinë e partneritetit shqiptaro-italian në fushën e sigurisë, duke synuar shkëmbim më të shpejtë të informacionit, koordinim më të ngushtë operacional dhe rritje të kapaciteteve për të luftuar rrjetet kriminale. Bashkëpunimi mes Tiranës dhe Romës mbetet një hallkë e rëndësishme në përpjekjet e përbashkëta për siguri më të madhe dhe luftë më efektive kundër krimit ndërkufitar, transmeton euronewsal.










