Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që procesi i integrimit evropian të Kosovës të mbështetet në meritat, reformat dhe përmbushjen e kritereve, duke theksuar se vendi nuk duhet të kërkojë rrugë alternative për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për gazetën prestigjioze franceze Le Monde, gjatë vizitës së tij në Paris, Kurti ka folur për perspektivën evropiane të Kosovës, zhvillimet gjeopolitike, sigurinë në rajon dhe rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për projektet strategjike të vendit. Ai ka theksuar se Kosova synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian përmes një procesi të drejtë, të bazuar në meritë dhe në reformat e realizuara, e jo përmes ndonjë rruge të tërthortë. Sipas tij, integrimi evropian duhet të jetë rezultat i përmbushjes së standardeve dhe kritereve të kërkuara. Duke komentuar zhvillimet ndërkombëtare dhe situatën e sigurisë, kryeministri Kurti është ndalur edhe te agresioni rus në Ukrainë, duke vlerësuar se ky konflikt dëshmon rikthimin e historisë në skenën botërore me një intensitet të veçantë në shekullin XXI.
Kurti po qëndron në Paris për një vizitë zyrtare treditore, gjatë së cilës po merr pjesë në edicionin e nëntë të Forumit të Paqes në Paris. Në kuadër të kësaj vizite, në agjendën e tij janë përfshirë edhe dy takime me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Një nga çështjet e rëndësishme për të cilat Prishtina po kërkon mbështetjen e Francës është realizimi i projekteve infrastrukturore dhe energjetike, si dhe organizimi i Lojërave Mesdhetare të vitit 2030, të cilat pritet të mbahen në Prishtinë. Për këtë projekt madhor, Kosova ka siguruar një kredi prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD), e destinuar për projektimin e fshatit ndërkombëtar të sportistëve. Vizita në Paris dhe takimet me përfaqësuesit më të lartë francezë konsiderohen të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe sigurimin e mbështetjes për projektet zhvillimore të Kosovës, në një kohë kur vendi vazhdon të synojë integrimin e plotë në strukturat evropiane, transmeton rtk.










