“Gjelat” përballen me një krizë dëmtimesh në prag të sfidës së rëndësishme, ndërsa mungesa e mundshme e kapitenit Kylian Mbappé shton shqetësimet në kampin francez.
Kombëtarja e Francës po kalon një periudhë të vështirë në prag të përballjes me Italinë, pasi problemet fizike kanë prekur një numër të madh futbollistësh. Plot dhjetë lojtarë janë aktualisht jashtë dispozicionit për shkak të dëmtimeve, duke vënë në vështirësi përgatitjet e skuadrës franceze. Në mesin e futbollistëve të dëmtuar janë emra të rëndësishëm si William Saliba, Jules Koundé, Maxence Lacroix, Manu Koné, Ousmane Dembélé, Maghnes Akliouche, Esteban Lepaul, Pierre Kalulu, Marcus Thuram dhe Aurélien Tchouaméni.
Por shqetësimi më i madh për Francën lidhet me kapitenin Kylian Mbappé. Sulmuesi francez mbetet në pikëpyetje për këtë përballje, pasi gjatë së mërkurës ka vijuar trajtimin mjekësor dhe nuk është bashkuar me grupin në stërvitjen e zakonshme. Kjo situatë e vështirëson ndjeshëm punën e përfaqësueses franceze, e cila rrezikon të paraqitet ndaj Italisë me një formacion të ndryshuar dhe pa disa prej lojtarëve të saj më të rëndësishëm. Mungesat e shumta mund të ndikojnë në ekuilibrin e skuadrës, veçanërisht në repartin mbrojtës dhe atë ofensiv. Ndërkohë, fati i Mbappé mbetet një nga çështjet kryesore që pritet të marrë përgjigje në orët në vijim. Dhjetë mungesa dhe një kapiten në dyshim: Franca po përballet me një provë të vështirë para duelit me Italinë, transmeton TCH.










