Kryeministri shqiptar prezanton në Irlandë objektivat e integrimit evropian, flet për reformën në drejtësi, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, emigracionin dhe sfidat e inteligjencës artificiale.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në një aktivitet të organizuar nga Instituti i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Europiane (IIEA), në Dublin të Irlandës, ku ka prezantuar rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe objektivat e qeverisë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Në panelin e diskutimit me temën “Udhëtimi Evropian i Shqipërisë: Nga aspirata te integrimi”, Rama u ndal në ecurinë e negociatave me Brukselin, zhvillimet politike në rajon, reformën në drejtësi, investimet e huaja dhe sfidat që lidhen me migracionin dhe teknologjinë. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi periudhën aktuale si një moment përcaktues për të ardhmen evropiane të vendit, duke vendosur fundin e vitit 2027 si objektiv për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit.
“Komisioni është i të njëjtit mendim që fundi i vitit 2027 është ambicioz, por i mundur. Ndaj do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta realizuar”, deklaroi Rama. Ai vlerësoi gjithashtu metodologjinë e re të zgjerimit dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e integrimit gradual të vendeve kandidate në mekanizmat ekonomikë dhe financiarë të Bashkimit Evropian.
Kosova dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rama theksoi se normalizimi i marrëdhënieve mbetet kusht i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe perspektivën evropiane të Serbisë. Sipas tij, mungesa e një qasjeje të hapur ndaj Kosovës vazhdon ta mbajë Beogradin të lidhur me të kaluarën.
Ai nënvizoi se përparimi i rajonit drejt Bashkimit Evropian kërkon përgjegjësi politike, dialog dhe tejkalim të konflikteve historike.
Reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit
Duke folur për reformën në drejtësi, kryeministri shqiptar e konsideroi ngritjen dhe funksionimin e institucioneve të reja të drejtësisë si një ndryshim të rëndësishëm në sistemin shtetëror.
“Për herë të parë kemi një sistem që po e lufton korrupsionin. Deri jo shumë kohë më parë korrupsioni ishte sistemi, ndërkohë që sistemi aktualisht po angazhohet kundër korrupsionit”, u shpreh Rama. Ai foli edhe për hetimet që prekin nivele të larta të pushtetit politik, duke pranuar se përballja me këtë proces është e vështirë, por duke e cilësuar atë si pjesë të domosdoshme të reformimit të shtetit.
Sazani, investimet e huaja dhe mbrojtja e mjedisit
Në diskutimin për investimet e huaja, Rama iu referua edhe projektit të përfolur për zhvillimin turistik të ishullit të Sazanit, ku është shprehur interes nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump. Kryeministri hodhi poshtë pretendimet për ndikime politike në këtë projekt dhe këmbënguli se qeveria ka vendosur kritere të rrepta mjedisore. Sipas tij, vetëm 8 për qind e sipërfaqes së ishullit mund të ndërtohet. Duke iu referuar debatit publik për mbrojtjen e mjedisit dhe pranisë së flamingove, Rama përdori shprehjen “revolucioni i flamingove”, duke e lidhur polemikën edhe me polarizimin politik ndërkombëtar.
Migracioni dhe largimi i të rinjve
Një tjetër çështje e trajtuar në Dublin ishte emigracioni dhe largimi i të rinjve shqiptarë drejt vendeve të tjera. Rama solli si shembull historinë e Irlandës, e cila në të kaluarën ishte përballur me emigracion të konsiderueshëm, por më pas arriti të krijojë kushte më të favorshme për qytetarët e saj. Sipas tij, sot sfida është më komplekse, pasi rrjetet sociale dhe teknologjia u japin të rinjve mundësinë të shohin vazhdimisht standardet e jetesës në vendet e zhvilluara. Ai kujtoi gjithashtu izolimin e gjatë të Shqipërisë gjatë regjimit komunist, duke theksuar se kjo e kaluar ka ndikuar në mënyrën se si shqiptarët e perceptojnë lirinë e lëvizjes dhe mundësitë jashtë vendit.
Rrjetet sociale dhe liria e fjalës
Gjatë bashkëbisedimit, Rama ngriti shqetësimin për ndikimin e rrjeteve sociale në debatin publik dhe përhapjen e informacionit të pavërtetë.
“Liria e shpërndarjes po mbyt lirinë e fjalës, po i merr frymën së vërtetës”, deklaroi ai, duke kërkuar një qasje më të vendosur evropiane për rregullimin e platformave digjitale. Ai përmendi edhe protestat e dhunshme në Tiranë, duke pretenduar se në nxitjen e tyre kishte pasur edhe ndërhyrje të regjimit iranian përmes rrjeteve sociale.
Ukraina, diplomacia dhe marrëdhëniet me Greqinë
Në pjesën që lidhej me politikën e jashtme, kryeministri shqiptar kritikoi qasjen e Bashkimit Evropian ndaj luftës në Ukrainë, duke argumentuar se Evropa i ka kushtuar më shumë vëmendje armatimit sesa diplomacisë. Ai vuri në dukje se diplomacia duhet të mbetet pjesë thelbësore e përpjekjeve për paqe dhe se vendimmarrja ndërkombëtare duhet të udhëhiqet edhe nga interesat strategjike të Evropës. Sa u përket marrëdhënieve me Greqinë, Rama i cilësoi ato si të shkëlqyera, ndërsa për çështjen e kufirit detar u shpreh se zgjidhja do të kërkohet përmes një gjykate ndërkombëtare.
Inteligjenca Artificiale, një instrument për integrimin evropian
Në përfundim, Rama u ndal te rëndësia e inovacionit dhe Inteligjencës Artificiale në modernizimin e administratës publike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian. Ai vlerësoi digjitalizimin e shërbimeve publike në Shqipëri, duke deklaruar se rreth 95 për qind e tyre tashmë ofrohen në mënyrë digjitale. Kryeministri solli si shembull edhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, duke e krahasuar këtë qasje me kohën që vendeve të tjera u është dashur për të përfunduar të njëjtin proces. Objektivi i vitit 2027 mbetet kështu një nga sfidat kryesore të qeverisë shqiptare. Përmbushja e tij do të varet nga ritmi i reformave, funksionimi i institucioneve, sundimi i ligjit dhe vlerësimi përfundimtar i institucioneve evropiane. Rrugëtimi drejt BE-së nuk matet vetëm me afate politike, por mbi të gjitha me rezultatet konkrete që Shqipëria arrin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional, transmeton rtsh.










