Komisioni Evropian ka publikuar Raportin për Kosovën 2026, duke evidentuar një sërë mangësish serioze në funksionimin e institucioneve, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe zhvillimin ekonomik. Kritikat më të ashpra i drejtohen sistemit të drejtësisë, ku sipas raportit, Kosova nuk ka shënuar përparim gjatë periudhës së vlerësimit.
Raporti i këtij viti paraqet një pasqyrë shqetësuese të gjendjes institucionale dhe politike në vend, duke vënë në pah ndikimin e interesave politike dhe ekonomike në sistemin e drejtësisë, mungesën e reformave të nevojshme dhe rezultatet e pamjaftueshme në luftën kundër korrupsionit. Sipas Komisionit Evropian, ndikimi i papërshtatshëm nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm vazhdon të përbëjë pengesë serioze për pavarësinë dhe paanshmërinë e gjyqësorit, ndërsa në disa aspekte kjo dukuri është intensifikuar. Një ndër problemet kryesore mbetet edhe mosmiratimi i paketës së projektligjeve për sistemin e drejtësisë, gjë që ka penguar forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe prokurorisë.
Korrupsioni, mungon strategjia gjithëpërfshirëse
Kritika të rëndësishme raporti adreson edhe ndaj institucioneve përgjegjëse për luftimin e korrupsionit. Komisioni Evropian vëren dallime të theksuara në rezultatet e institucioneve, veçanërisht kur bëhet fjalë për rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë.
Ndonëse janë shënuar rezultate më të mira në trajtimin e rasteve të korrupsionit të nivelit më të ulët, raporti evidenton rënie të vendimeve përfundimtare gjyqësore dhe dënimeve për korrupsionin e nivelit të lartë.
Shqetësim tjetër mbetet mungesa e një strategjie kombëtare gjithëpërfshirëse kundër korrupsionit, e cila do të mundësonte një qasje të koordinuar dhe afatgjatë të institucioneve.
Megjithatë, një zhvillim pozitiv është rritja e raportimeve nga sinjalizuesit në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, të cilat pothuajse janë dyfishuar në krahasim me vitin paraprak.
Kriza politike dhe bllokada institucionale
Në pjesën që trajton funksionimin demokratik të vendit, Komisioni Evropian vë në pah pasojat e fragmentarizimit politik dhe jostabilitetit institucional.
Kosova gjatë periudhës së raportimit u përball me dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe pamundësinë për zgjedhjen e Presidentit, ndërsa Qeveria funksionoi në detyrë për pjesën më të madhe të kësaj periudhe.
Sipas raportit, bllokada politike dhe mungesa e stabilitetit kanë ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e reformave dhe në funksionimin e institucioneve.
Shqetësues konsiderohet edhe rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, nga 45 për qind në dhjetor 2025 në 37 për qind në qershor 2026. Komisioni këtë e ndërlidh me lodhjen e votuesve dhe pakënaqësinë publike për shkak të proceseve të shpeshta zgjedhore.
Shqetësime për të drejtat pronësore në veri
Raporti trajton edhe zhvillimet në veri të Kosovës, ku Komisioni Evropian shpreh shqetësime lidhur me disa operacione të institucioneve të zbatimit të ligjit dhe respektimin e procedurave ligjore.
Në veçanti, theksohet çështja e rrënimit të pronave private pa respektimin e duhur të procedurave, si dhe zbatimi i masave të pakthyeshme në raste kur kontestet gjyqësore ende nuk kanë marrë epilog.
Sipas Komisionit, këto veprime ngrenë pikëpyetje për mbrojtjen e të drejtave pronësore dhe garantimin e qasjes në mjete juridike efektive.
Ekonomia përballet me probleme strukturore
Edhe pse Komisioni Evropian vlerëson se Kosova ka shënuar njëfarë përparimi drejt zhvillimit të një ekonomie funksionale të tregut, sfidat strukturore vazhdojnë të mbeten të pranishme.
Pjesëmarrja e ulët në tregun e punës dhe papunësia e lartë, veçanërisht te gratë dhe grupet e cenueshme, paraqesin ndër problemet kryesore të ekonomisë së vendit.
Në raport kritikohen gjithashtu baza e ngushtë tatimore, menaxhimi joefikas i investimeve publike, orientimi i dobët i përfitimeve sociale dhe performanca financiare e ndërmarrjeve publike.
Një tjetër problem lidhet me mospërputhjen ndërmjet sistemit arsimor dhe kërkesave të tregut të punës. Përparimi në infrastrukturën e transportit dhe zgjerimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme vlerësohet gjithashtu si i kufizuar.
BE-ja kërkon rezultate konkrete, jo vetëm zotime politike
Në rekomandimet për periudhën e ardhshme, Komisioni Evropian kërkon nga institucionet e Kosovës të ndërmarrin hapa konkretë për forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e funksionimit institucional.
Ndër prioritetet kryesore janë garantimi i pavarësisë së gjyqësorit, rritja e efikasitetit të hetimeve për korrupsionin e nivelit të lartë dhe miratimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Korrupsionit 2026–2028.
BE-ja kërkon gjithashtu profesionalizimin e administratës publike, mbrojtjen e gazetarëve, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe përafrimin e arsimit me nevojat e ekonomisë.
Pavarësisht vlerësimeve kritike, Komisioni Evropian konstaton se integrimi në Bashkimin Evropian vazhdon të jetë objektiv strategjik i Kosovës dhe gëzon mbështetje të gjerë në shoqëri dhe në spektrin politik.
Raporti i vitit 2026 dërgon një mesazh të qartë për institucionet e Kosovës: rruga drejt Bashkimit Evropian nuk mund të mbështetet vetëm në deklarata dhe zotime politike. Ajo kërkon reforma të qëndrueshme, institucione të pavarura dhe rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, forcimin e demokracisë dhe zhvillimin ekonomik. Sfidat e evidentuara nga Brukseli mbeten një test i rëndësishëm për institucionet e Kosovës, ndërsa mënyra se si ato do t’u përgjigjen këtyre rekomandimeve do të ndikojë drejtpërdrejt në besueshmërinë e vendit dhe perspektivën e tij evropiane, transmeton rtk.










