Andre Rico rikonfirmon mbështetjen e Bashkimit Europian për Shqipërinë në përballjen me kërcënimet kibernetike. Ai e cilëson procesin e integrimit europian si një moment kyç për vendin.
Siguria kibernetike dhe forcimi i kapaciteteve për përballimin e kërcënimeve digjitale ishin në fokus të fjalës së zv.ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Andre Rico, gjatë Konferencës Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2026.Gjatë fjalës së tij, Rico theksoi se siguria kibernetike nuk është më vetëm një çështje teknologjike, por një komponent thelbësor i sigurisë kombëtare, ekonomike dhe stabilitetit të një vendi. Ai nënvizoi se kërcënimet në hapësirën digjitale janë shtuar ndjeshëm, duke përfshirë sulme të organizuara nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, të cilët synojnë të cenojnë infrastrukturën dhe rrjetet kritike. Zv.ambasadori rikonfirmoi mbështetjen e Bashkimit Europian për Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), duke vlerësuar bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe atyre europiane në përballimin e sfidave të sigurisë digjitale.
“Siguria kibernetike është e njëjtë me sigurinë e vendit, sigurinë ekonomike dhe stabilitetin. Kemi pasur raste me kërcënime keqdashëse ndaj BE-së dhe vendeve anëtare. Këto kërcënime vijnë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, me përpjekje për të cenuar infrastrukturën dhe rrjetet kritike. Rreziku është i lartë”, u shpreh Rico.
Ai theksoi gjithashtu se Bashkimi Europian po vijon bashkëpunimin me Shqipërinë për të ofruar instrumentet dhe ekspertizën e nevojshme, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional në fushën e sigurisë kibernetike.
Integrimi europian, një moment vendimtar për Shqipërinë
Në pjesën e dytë të fjalës së tij, Andre Rico u ndal te procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke e cilësuar periudhën aktuale si një moment kyç për marrëdhëniet mes Tiranës dhe Brukselit.
Sipas tij, negociatat e anëtarësimit kanë hyrë në një fazë kritike dhe thelbësore, ndërsa Shqipëria ka shënuar progres në përmbushjen e objektivave të integrimit, me avancimin dhe përmbylljen e kapitujve të rëndësishëm.Rico vuri në dukje rëndësinë e paketës së zgjerimit të Komisionit Europian, e cila pritet të miratohet nesër dhe që do të përmbajë vlerësimin e progresit të reformave për secilin vend kandidat, përfshirë Shqipërinë.
“Ky është një moment kyç për marrëdhëniet BE-Shqipëri, pasi negociatat e anëtarësimit kanë hyrë në një fazë kritike dhe thelbësore. Shqipëria ka avancuar në procesin e integrimit në BE. Nesër kemi një ditë të rëndësishme në rrugëtimin europian të vendit, pasi Komisioni Europian miraton paketën e zgjerimit, ku do të vlerësohet progresi i reformave për çdo vend, përfshirë edhe Shqipërinë”, deklaroi ai. Në përfundim, zv.ambasadori nënvizoi se Bashkimi Europian do të vijojë të mbështesë Shqipërinë përmes ekspertizës dhe instrumenteve konkrete, duke e konsideruar forcimin e sigurisë kibernetike një pjesë të rëndësishme të rrugëtimit të saj drejt integrimit europian. Bashkëpunimi në këtë fushë shihet si një element i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të institucioneve publike, por edhe për garantimin e një mjedisi digjital më të sigurt për ekonominë dhe qytetarët shqiptarë, transmeton rtsh.










