Cyrih, 01 nëntor 2026 – Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka pasur edhe sot një ditë të ngjeshur me takime dhe aktivitete në shërbim të mërgatës shqiptare në Zvicër. Sipas burimeve të helveticALforum.ch, në kuadër të takimeve të tij, konsulli Berisha ka zhvilluar edhe një takim të rëndësishëm me z. Fehim Abazi, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, i cili ishte i shoqëruar nga mr. Rijad Aliu, anëtar i Kryesisë dhe përgjegjës për Zvicrën frankofone. Takimi u përqendrua në çështje me rëndësi për komunitetin shqiptar në mërgatë, veçanërisht në ruajtjen e traditës, trashëgimisë shpirtërore dhe identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve që jetojnë larg atdheut.
Përmes një përshkrimi të takimit, Vigan Berisha ka bërë të ditur:
“Kishim kënaqësinë të mirëpresim në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, z. Fehim Abazi, kryetar i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, i shoqëruar nga mr. Rijad Aliu, anëtar i Kryesisë dhe përgjegjës për Zvicrën frankofone. Gjatë takimit, biseduam për traditën, trashëgiminë shpirtërore dhe rolin e institucioneve fetare në ruajtjen e identitetit kombëtar e kulturor të shqiptarëve në mërgatë. Shkëmbyem mendime edhe për rëndësinë e bashkëpunimit, forcimit të lidhjeve me atdheun dhe angazhimit të përbashkët në shërbim të mërgatës shqiptare në Zvicër.”
Takimi vë në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve diplomatike të Kosovës dhe organizimeve të komunitetit shqiptar në Zvicër. Një bashkëpunim i tillë konsiderohet i rëndësishëm për ruajtjen e lidhjeve me atdheun, promovimin e vlerave kombëtare dhe kulturore, si dhe për forcimin e unitetit të shqiptarëve në mërgatë, transmeton helveticALforum.ch.
Përgatiti Dashnim HEBIBI










