BallinaAtdheuGërvalla reagon sërish për rastin e Arlinda Zekajt

Gërvalla reagon sërish për rastin e Arlinda Zekajt

-

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka rikthyer vëmendjen te përgjegjësia institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, duke theksuar se institucionet e drejtësisë kishin informacione për dhunën dhe kërcënimet ndaj saj, por nuk ndërmorën veprimet e nevojshme për ta mbrojtur.

Përmes një reagimi në rrjetin social Facebook, Gërvalla ka bërë të ditur se Prokuroria ishte informuar për dhunën dhe kërcënimet ndaj Arlinda Zekajt që nga 10 korriku. Sipas ministres, një nga faktet më shqetësuese është se më 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes së saj, edhe kryeprokurorja ishte njoftuar zyrtarisht me shkrim për një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje, të cilin viktima e kishte raportuar ndaj Albert Sylajt. Gërvalla ka theksuar se Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërime, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si institucionet i trajtuan informacionet për rrezikun që i kanosej asaj. Reagimi i ministres vjen pas publikimit të raportit të Ministrisë së Drejtësisë, të prezantuar më 30 tetor nga Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili trajton veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës.

Sipas gjetjeve të prezantuara, pavarësisht informacioneve për kërcënimet dhe rrezikun ndaj jetës së viktimës, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje. Raporti evidenton gjithashtu mangësi në trajtimin e rastit edhe nga institucione të tjera përgjegjëse.

Si pasojë e zhvillimeve dhe dyshimeve për përgjegjësi institucionale, janë suspenduar dy prokurore: kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokurorja Arlinda Nallbani-Gacaferi.

Publikohet letra e Arlinda Zekajt drejtuar gjyqtarit: “Për ju është rutinë, për mua është jetë”

Ndërkohë, në opinionin publik është bërë publike edhe një letër tjetër e Arlinda Zekajt, e datës 7 shtator 2026, drejtuar gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Pejë, Migjen Kastrati.

Në këtë letër, Arlinda shpreh shqetësimet e saj për sigurinë personale dhe atë të fëmijës, duke kërkuar vëmendje dhe trajtim të çështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe kujdestarinë e tij.

Mesazhi i saj drejtuar gjyqtarit është veçanërisht prekës, pasi dëshmon shqetësimin dhe urgjencën me të cilën ajo kërkonte që institucionet të trajtonin situatën e saj.

“Për ju është rutinë, për mua është jetë dhe veç Zoti e di pse ty të ka zgjedhë të shpëtosh jetë”, kishte shkruar Zekaj.

Letra ka rikthyer në vëmendje kërkesat e saj për mbrojtje dhe shqetësimet që kishte adresuar te institucionet e drejtësisë para se t’i merrej jeta.

Vrasja e Arlinda Zekajt më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të shumta publike, ndërsa kërkesat për zbardhjen e plotë të rastit dhe përgjegjësi për çdo neglizhencë institucionale po shtohen.

Rasti ka hapur sërish debatin për mënyrën se si trajtohen denoncimet për dhunë dhe kërcënime, si dhe për përgjegjësinë e institucioneve që kanë për detyrë të mbrojnë jetën e qytetarëve. Pyetja që mbetet është se përse paralajmërimet e një gruaje, e cila kërkonte mbrojtje për jetën e saj, nuk u shndërruan në veprime konkrete para se të ishte tepër vonë./BS

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Reshat Ibraimi – Një jetë në shërbim të gazetarisë, një udhëtim...

0
Nga Dashnim HEBIBI, Zvicër Ka njerëz që profesionin e tyre e kanë punë, por ka edhe të tillë që e kanë pjesë të shpirtit. Njëri...

KUR KOHA VRET