Qeveria e Kosovës pritet që të hënën të miratojë projektligjin për buxhetin e vitit 2027, ndërsa kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se investimet kapitale për herë të parë do ta kalojnë vlerën prej një miliard eurosh.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se shpenzimet kapitale në buxhetin e vitit 2027 do të tejkalojnë për herë të parë kufirin prej një miliard eurosh.
Këtë paralajmërim Kurti e bëri gjatë mbledhjes së 64-t të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ku foli edhe për prioritetet e qeverisë në fushën e investimeve dhe zhvillimit të vendit.
Sipas tij, investimet e planifikuara do të orientohen kryesisht në projekte infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e rrugëve, zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore dhe ndërtimin e një dige.
Projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet të miratohet të hënën në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës. Pas miratimit nga ekzekutivi, dokumenti do t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe procedim të mëtejshëm parlamentar.
Gjatë fjalimit të tij, Kurti u ndal edhe te perspektiva evropiane e Kosovës, duke theksuar se marrja e statusit të vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian mbeten objektivat e radhës në rrugën drejt integrimit evropian.
Në të njëjtën mbledhje, kryeministri njoftoi edhe fillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme në Lëvizjen Vetëvendosje, me theks të veçantë në fuqizimin dhe organizimin e strukturave të grave dhe të rinjve.
Ndërkohë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, para fillimit të mbledhjes deklaroi se nuk sheh asnjë arsye për ndryshimin e kryetarit të partisë.
Paralajmërimi për buxhetin e ri vjen në një javë të rëndësishme për zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë, pasi Komisioni Evropian pritet të publikojë raportin vjetor për vendin, ku vlerësohet progresi në reformat dhe procesin e integrimit evropian./BS










