BallinaKulturaBiblioteka Kombëtare e Shqipërisë sjell një botim të ri bibliografik me vlera...

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë sjell një botim të ri bibliografik me vlera të rëndësishme albanologjike

-

“Vepra të autorëve dhe studiuesve gjermanishtshkrues për Shqipërinë dhe shqiptarët (shek. XV–XXI)”, botimi më i ri nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, dokumenton interesin dhe kontributin shekullor të botës gjermanishtfolëse në njohjen e historisë, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Tetori i Librit përmbyllet me një tjetër botim me rëndësi të veçantë për studiuesit, kërkuesit shkencorë dhe të gjithë ata që kanë interes për historinë dhe kulturën shqiptare. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë prezanton botimin e ri bibliografik me titull:

“Vepra të autorëve dhe studiuesve gjermanishtshkrues për Shqipërinë dhe shqiptarët (shek. XV–XXI)”, me autore Elda Boriçi.

Ky botim përbën një pasqyrë të gjerë bibliografike të veprave të autorëve dhe studiuesve gjermanishtshkrues, të cilët përgjatë shekujve XV–XXI kanë shkruar dhe hulumtuar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nëpërmjet evidentimit dhe sistemimit të këtij materiali, publikimi sjell në vëmendje një trashëgimi të rëndësishme dokumentare, duke krijuar një instrument të vlefshëm kërkimor dhe referencial për fushat e albanologjisë, historisë, kulturës dhe marrëdhënieve shqiptaro-gjermane. Rëndësinë e këtij botimi e ka theksuar edhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi e cila, përmes një mesazhi publik, ka vlerësuar punën shumëvjeçare kërkimore dhe rëndësinë e nxjerrjes në dritë të këtij materiali bibliografik.

Në vlerësimin e saj, drejtoresha Toçi shkruan:

“Punë të vyera që kërkojnë vite përkushtimi për t’u realizuar dhe që meritojnë të mos mbeten gjatë në pritje, por të marrin dritën e botimit!

Me kënaqësi të veçantë ndaj sot botimin më të ri të Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, një bibliografi me vlera të rëndësishme albanologjike, që përfshin 1680 tituj veprash dhe 150 harta, dëshmi të interesit shekullor të botës gjermanishtfolëse për Shqipërinë dhe shqiptarët. Një falënderim i veçantë për kolegen #EldaBoriçi, për punën e gjatë, të kujdesshme e këmbëngulëse kërkimore që qëndron pas këtij botimi. Më gëzon veçanërisht që një punë e përfunduar prej kohësh gjeti më në fund rrugën drejt lexuesve dhe studiuesve, duke marrë vëmendjen dhe vlerësimin që meriton. Mirënjohje edhe për Andreas Dushi dhe Jola Tasellari, me të cilët pata kënaqësinë të ndaj përgjegjësinë e punës redaksionale, për kujdesin, profesionalizmin dhe kontributin e tyre në përgatitjen e këtij botimi. Falënderime edhe për Rudina Dahri, për realizimin grafik. Besoj fort se drejtimi i një institucioni të dijes nënkupton edhe përgjegjësinë për të njohur, vlerësuar dhe nxjerrë në dritë punën e njerëzve të tij. Sepse pasuria e një biblioteke nuk qëndron vetëm në koleksionet që ruan, por edhe në dijen dhe përkushtimin e atyre që punojnë për t’i bërë ato të njohura.”

Me 1680 tituj veprash dhe 150 harta, bibliografia përbën një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e burimeve historike dhe kulturore që ndihmojnë në kuptimin e mënyrës se si Shqipëria dhe shqiptarët janë studiuar, përshkruar dhe prezantuar në hapësirën gjermanishtfolëse përgjatë shekujve.

Botimi është gjithashtu dëshmi e rëndësisë së punës kërkimore dhe bibliografike në ruajtjen, sistemimin dhe vënien në dispozicion të trashëgimisë së shkruar. Me këtë publikim, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë e përmbyll Tetorin e Librit me një tjetër kontribut të çmuar për pasurimin e fondit bibliografik shqiptar dhe për krijimin e mundësive të reja për kërkimin shkencor. Të interesuarit mund ta gjejnë botimin edhe në faqen zyrtare të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë: www.bksh.al/botime, transmeton helveticALforum.ch.

Përgatiti D. H

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Sonte mbahet nata e dytë e Festivalit “Akordet e Kosovës”

0
Në një atmosferë festive dhe me një skenografi madhështore, mbrëmë në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë është zhvilluar nata e parë e edicionit të...