Posta e Kosovës ka nderuar festivalin muzikor “Akordet e Kosovës” përmes një emisioni të veçantë filatelik, duke i kushtuar një pullë postare këtij festivali që zë një vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore dhe kulturore të vendit. Emisioni i jashtëzakonshëm i pullave postare është realizuar përmes Filatelisë së Postës së Kosovës, në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ndërsa promovimi i tij u bë në natën e parë të festivalit, në praninë e artistëve, mysafirëve dhe një numri të madh spektatorësh.
Përveç pullës postare, emisioni filatelik përfshin edhe zarfin e Ditës së Parë, duke shënuar një dedikim simbolik për rikthimin e festivalit “Akordet e Kosovës” dhe rëndësinë e tij në jetën artistike të vendit. Përmes këtij botimi, Posta e Kosovës synon të promovojë historinë, identitetin dhe trashëgiminë muzikore e kulturore të Republikës së Kosovës, duke i dhënë festivalit një dimension të veçantë edhe përtej kufijve të vendit. Në komunikatën e saj, Posta e Kosovës ka falënderuar RTK-në për bashkëpunimin, ndërsa festivalit i ka uruar suksese, artistëve frymëzim dhe publikut emocione të paharruara. Njëkohësisht, institucioni ka ftuar qytetarët, koleksionistët dhe bizneset që ta blejnë pullën e veçantë postare dhe ta bëjnë pjesë të koleksioneve të tyre, si një mënyrë për të ruajtur dhe promovuar vlerat artistike e kulturore të Kosovës. Ky dedikim filatelik përbën një tjetër dëshmi të rëndësisë së kulturës dhe muzikës në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke e shndërruar festivalin “Akordet e Kosovës” në një simbol që do të kujtohet edhe përmes filatelisë, transmeton rtk.










