BallinaDiasporaNGA PROFESORESHA IME – PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

NGA PROFESORESHA IME – PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

-

Nga Shefqet Cakolli Kryetar i SH.K.A. “Dardania” Winterthur”

Kujtime nga bankat e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në fillim të viteve të ’80-ta

Zgjedhja e akademikes Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës më gëzoi, por njëkohësisht më ktheu më shumë se katër dekada prapa, në kohën kur ajo ishte profesoresha ime në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Ishin vitet e 80–ta, vite të vështira për Kosovën dhe veçanërisht për studentët e asaj kohe. Demonstratat e vitit 1981, gjendja politike dhe ekonomike dhe pasiguria që mbretëronte e bënin jetën studentore shumë më ndryshe nga ajo që mund ta imagjinojnë brezat e sotëm.

Edhe studimet e mia zhvilloheshin në rrethana jo të lehta. Krahas fakultetit më duhej të punoja për t’ia mundësuar vetes shkollimin, më 1983 mu desht marrë rugën e mërgimit në Zvicër si student të punoj me viju studimet. Prandaj, koha për t’u përgatitur jashtë auditorëve ishte e kufizuar dhe ligjëratat kishin për mua një rëndësi të jashtëzakonshme.

Pikërisht nga ajo kohë më ka mbetur në kujtesë profesoresha e re Justina Shiroka-Pula, e cila na ligjëronte lëndën Kërkime Operacionale.

Ishte vetëm rreth nëntë apo dhjetë vjet më e madhe se ne studentët. Ende pa i mbushur të tridhjetat ndoshta, ajo qëndronte para auditorit universitar duke përcjellë dije te një gjeneratë e re studentësh.

Një lëndë e vështirë, por një profesoreshë që dinte ta bënte të kuptueshme!

Kërkimet Operacionale nuk ishin një lëndë e lehtë. Ishte një lëndë e re për ne. Kishte ekuacione, modele matematikore e statistikore, probabilitet, formula dhe zgjidhje problemesh që kërkonin përqendrim e logjikë.

Literatura që kishim në dispozicion ishte e kufizuar, ndaj shënimet gjatë ligjëratave ishin jashtëzakonisht të rëndësishme, dhe ajo na kërkonte të mbanin shënime gjatë speegimeve dhe ligjeratave teorike.

Por profesoresha Shiroka-Pula kishte një cilësi që unë e kujtoj edhe sot: dinte ta shpjegonte të ndërlikuarën në mënyrë të kuptueshme.

Ishte e qartë dhe e saktë në ligjërim, por njëkohësisht shumë e afërt dhe komunikuese me studentët. Nuk përtonte ta përsëriste një temë, një formulë apo zgjidhjen e një problemi nëse vërente se studentët nuk e kishin kuptuar sa duhet.

Për mua, që punoja krahas studimeve, kjo ishte një ndihmë e madhe. Prania e rregullt në ligjëratat e saj më mundësoi që lëndën ta kuptoja pa pasur nevojë për ndonjë përgatitje të jashtëzakonshme jashtë fakultetit. Edhe provimin me shkrim, edhe atë me gojë, i kalova që në herën e parë.

Edhe një qortim që sot e kujtoj me buzëqeshje!

Lëndën e kisha kuptuar aq mirë sa, si shumë studentë të asaj kohe, mundohesha t’u ndihmoja edhe shokëve e shoqeve.

Më kujtohet një rast gjatë provimit me shkrim. Duke u përpjekur t’i ndihmoja dikujt pranë meje, profesoresha më vërejti dhe më qortoi. Dhe, natyrisht, kishte të drejtë.

Sot atë episod e kujtoj me buzëqeshje. Ishim të rinj dhe solidaritetin mes nesh e kuptonim ndonjëherë edhe si përpjekje për ta ndihmuar njëri-tjetrin aty ku, në fakt, secili duhej ta tregonte vetë dijen e tij.

Një shembull edhe për vajzat studente të asaj kohe!

Profesoresha Justina Shiroka-Pula nuk na kishte lënë përshtypje vetëm me dijen dhe mënyrën e ligjërimit.

E kujtoj si një zonjë elegante, të kujdesshme në paraqitje dhe veshje, me një sjellje dhe komunikim që rrezatonin kulturë e siguri, shpesh edhe shemull për vajzat studente që i këshillonte për së miri.

Sidomos për shumë nga shoqet tona studente, ajo përfaqësonte një shembull të veçantë. Një grua ende pa i mbushur të tridhjetat kishte arritur që, falë shkollimit dhe dijes së saj, të qëndronte para auditorëve universitarë dhe të edukonte gjenerata të reja.

Në një kohë krejt tjetër nga kjo e sotmja, një figurë e tillë kishte domethënie të madhe.

Ajo u tregonte edhe vajzave të reja, me vetë praninë dhe arritjet e saj, se çfarë mund të arrinte një grua përmes shkollimit, punës dhe dijes. Për shumë prej tyre, profesoresha e re ishte një lloj idoli dhe modeli për të ardhmen.

Më shumë se katër dekada më vonë…

Sot, pas më shumë se 45 vjetësh, jeta e solli që profesoresha ime e dikurshme të zgjidhet Presidente e Republikës së Kosovës.

Dhe për mua kjo krijon një lidhje të bukur ndërmjet kujtimeve të rinisë dhe së tashmes.

Profesoresha që dikur na mësonte në auditor se si, përmes analizës, formulave dhe arsyetimit, të gjendej zgjidhja e një problemi, sot merr mbi vete një nga përgjegjësitë më të larta institucionale të Republikës së Kosovës.

Nga Winterthuri, ku prej shumë vitesh jetoj dhe veproj, kujtimet më kthyen edhe një herë në auditorët e Fakultetit Ekonomik të Prishtinës, te shënimet tona studentore, formulat, provimet dhe ajo profesoreshë e re që kishte durimin të na e shpjegonte një problem edhe një herë kur nuk e kuptonim.

Prandaj urimi im sot ka edhe një dimension krejt personal:

E nderuara Presidente, Prof. Dr. Justina Shiroka-Pula, ju uroj nga zemra zgjedhjen në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës. Ju uroj shëndet, urtësi dhe suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të lartë shtetërore.

Ndërsa mua, si një nga studentët Tuaj të dikurshëm, më mbetet kënaqësia që pas kaq shumë vitesh të mund të them:

Urime, profesoresha ime!

Urime, Presidente e Republikës së Kosovës!

Shefqet Cakolli

Winterthur, Zvicër

Ish-student i Fakultetit Ekonomik

Universiteti i Prishtinës

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

A morën fund “cic-micet” politike në Kosovë?

0
Nga Flamur GASHI Autori është një diplomat karriere dhe një atdhetar i dëshmuar përtej një kufiri politik apo gjeografik Kosova e kaloi ngërçin institucional. Presidentja e Republikës...