BallinaEKSKLUZIVEA morën fund “cic-micet" politike në Kosovë?

A morën fund “cic-micet” politike në Kosovë?

-

Nga Flamur GASHI

Autori është një diplomat karriere dhe një atdhetar i dëshmuar përtej një kufiri politik apo gjeografik

Kosova e kaloi ngërçin institucional.

Presidentja e Republikës u zgjodh. Rreziku i zgjedhjeve të reja u shmang. Kuvendi mori vendimin e tij për Dhomat e Specializuara. Protestat u ndërprenë.

Tani duhet të fillojë pjesa më e vështirë dhe shumë më e rëndësishme:

Funksionimi i shtetit.

Kosova nuk ka më luksin që energjinë politike ta shpenzojë në përplasje të pafundme të brendshme, ndërkohë që përballet me sfida serioze në planin ndërkombëtar, në siguri, në ekonomi dhe në raportet me Serbinë.

Ka ardhur koha që politika jonë të jetë më kritike edhe ndaj vetvetes.

Kosova nuk është pronë e asnjë partie, e asnjë qeverie dhe e asnjë brezi politik.

Kosova është përgjegjësi historike dhe kombëtare.

Shteti që kemi ndërtuar me aq shumë sakrifica duhet ruajtur, forcuar dhe bërë funksional. Institucionet e tij duhet të jenë më të qëndrueshme se pushtetet që vijnë e shkojnë, ndërsa interesi shtetëror duhet të jetë më jetëgjatë se çdo mandat politik.

Edhe marrëdhëniet me partnerët tanë strategjikë duhet parë pikërisht kështu.

Aleancat dhe miqësitë e Kosovës nuk janë pronë e një qeverie apo partie. Ato janë pasuri kombëtare dhe strategjike, e ndërtuar ndër dekada dhe në periudhat më të vështira të historisë sonë.

Partneriteti nuk do të thotë pajtim për çdo çështje. Kosova duhet të dijë të mbrojë interesat dhe qëndrimet e veta edhe kur mendon ndryshe nga miqtë e saj. Por dallimet me miqtë menaxhohen me diplomaci, argumente, besueshmëri dhe respekt të ndërsjellë, pa cenuar aleancat që kanë qenë dhe janë jetike për lirinë, pavarësinë dhe sigurinë e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, Kosovës i duhet urgjentisht një strategji shtetërore gjithëpërfshirëse ndaj Serbisë.

Pozita dhe opozita mund të përplasen për mënyrën se si qeveriset vendi. Kjo është demokraci.

Por për sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë, dialogun, njohjet ndërkombëtare dhe të ardhmen euroatlantike të Kosovës duhet të ekzistojë një minimum i panegociueshëm i interesit shtetëror dhe kombëtar.

Serbia ka politikë shtetërore ndaj Kosovës.

Kosova duhet të ketë politikë shtetërore ndaj Serbisë.

Jo një politikë që fillon dhe mbaron me mandatin e një qeverie, por një strategji afatgjatë që bashkon institucionet, pozitën dhe opozitën, diplomacinë, akademinë, ekspertizën dhe kapacitetet më të mira që ka Kosova.

Përballë sfidave të mëdha shtetërore nuk duhet të ketë Kosovë të pozitës dhe Kosovë të opozitës.

Ka vetëm një Kosovë.

Presidentja duhet të ushtrojë me dinjitet rolin e saj kushtetues.

Qeveria të qeverisë.

Opozita të kontrollojë dhe të ofrojë alternativë.

Kuvendi të vendimmarrë.

Drejtësia të veprojë e pavarur.

Dhe politika, më në fund, të bëjë dallimin ndërmjet luftës për pushtet dhe përgjegjësisë për shtetin.

Prandaj pyetja mbetet:

A morën fund “cic-micet” politike?

Do të ishte mirë.

Sepse Kosova ka humbur mjaft kohë duke u marrë me vetveten.

Tani është koha të merret me shtetin, me qytetarët e saj, me miqtë dhe aleatët, me ata që e sfidojnë dhe me vendin që dëshiron të zërë në familjen e kombeve të lira.

Presidentes së Republikës së Kosovës, Akademike Justina Shiroka Pula, i uroj mbarësi, dinjitet dhe sukses në përmbushjen e përgjegjësisë së lartë shtetërore.

Suksesi i institucioneve të Kosovës nuk është sukses i një partie apo i një individi.

Është sukses i Kosovës.

Mbarësi Presidentes!

Bardhësi DARDANI!

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

BE-ja kritikon ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës

0
Brukseli përshëndet zgjedhjen e Justina Shiroka Pulës presidente të Kosovës, por shpreh shqetësim për ndryshimet ligjore që, sipas BE-së, mund të bien ndesh me...