BallinaDiasporaShoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”: Dëshmorët na mësuan të qëndrojmë bashkë

Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”: Dëshmorët na mësuan të qëndrojmë bashkë

-

KOSOVA FITOI UNITETIN – TANI TË VAZHDOJMË TË BASHKUAR

Dje ishte një ditë e gjatë, e ngarkuar me emocione, shqetësime dhe pritje. Pas pamjeve të rënda të mbrëmjes së 5 tetorit, kur pati përplasje ndërmjet policisë dhe protestuesve në Prishtinë, edhe ne në mërgatë i kishim sytë dhe zemrën në Kosovë. Në ato momente vetëm një dëshirë kishim: të mos ndodhte e keqja. Sepse, në fund të fundit, përballë njëri-tjetrit ishin shqiptarë, vëllezër e motra – policë dhe protestues. Kosova nuk ka nevojë për përçarje, por për qetësi, mirëkuptim dhe unitet. Edhe pse dita e 6 tetorit ishte e ngarkuar me punë e përgjegjësi, ne e përcollëm situatën deri në orët e vona të natës. Rreth orës 14:00, si gjithmonë, përcollëm mesazhin tonë për unitet, për hir të së ardhmes së Kosovës. E dinim se shteti i Kosovës nuk u ndërtua lehtë. Ai u ngrit mbi shumë dhimbje, sakrifica, lot dhe gjak. U ngrit mbi jetën e dëshmorëve dhe mbi sakrificën e mijëra familjeve shqiptare. Prandaj, edhe kur për shumëkënd shpresat ishin venitur, ne besonim se duhej të gjendej një zgjidhje. Dhe zgjidhja erdhi përmes institucioneve.

Mbrëmë pamë deputetë të pozitës dhe opozitës duke u bashkuar për të përmbyllur një proces të rëndësishëm institucional. Kuvendi i Kosovës zgjodhi Justina Shiroka Pulën Presidente të Republikës së Kosovës me 81 vota. Ky është një moment që duhet ta shohim mbi dallimet partiake. Ne nuk jemi me asnjë parti. Ne jemi me Kosovën. Respektojmë institucionet e Republikës së Kosovës, sepse kushdo që merr përgjegjësi shtetërore është motër ose vëlla i yni dhe përfaqëson një pjesë të shtetit tonë. Kosova ka nevojë për punë, përkushtim, përgjegjësi dhe unitet.

TA KUJTOJMË PSE U BË KOSOVA SHTET!

Të mos i harrojmë dëshmorët. Të mos i harrojmë familjet e dëshmorëve. Të mos i harrojmë atdhetarët e pagjetur. Të mos i harrojmë fëmijët që humbën jetën. Të mos harrojmë nënat që mbetën pa bij, fëmijët që mbetën pa prindër dhe familjet që dhanë më të shtrenjtën për lirinë. Liria nuk na u fal. Prandaj duhet ta ruajmë me përgjegjësi, me demokraci, me institucione dhe mbi të gjitha me unitet. Shoqata Humanitare “Lugina e Preshevës”, me qendër në Zvicër, që nga dita e themelimit nuk është ndalur, me mundësitë e saj, së vepruari për të mirën e trojeve shqiptare, veçanërisht për jetimët dhe familjet e dëshmorëve. Në radhët dhe në historinë e shoqatës sonë kemi veteranë të luftës dhe atdhetarë të dëshmuar. Për këtë arsye, nga zemra e përshëndesim çdo hap që çon drejt bashkimit institucional dhe përgjegjësisë kombëtare. Na presin shumë punë përpara. Kosova duhet të ecë përpara. Shqipëria duhet të jetë e fortë. Kosova duhet të jetë e fortë. Sepse sa herë që Shqipëria dhe Kosova kanë dhimbje, edhe ne në mërgatë kemi dhimbje. Dhe sa më të forta të jenë shtetet tona, aq më shumë shpresë, siguri dhe perspektivë do të ketë edhe Lugina e Preshevës. Ne jemi një pjesë e këtij kombi që jeton në një realitet jo të lehtë. Prandaj sytë tanë janë nga Shqipëria dhe Kosova.

Mos na harroni edhe neve në Luginën e Preshevës.

Ne nuk kërkojmë ndarje. Ne kërkojmë të jemi pjesë e vëmendjes kombëtare. Kërkojmë që zëri i Luginës të dëgjohet. Kërkojmë që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci të mos mbeten jashtë kujtesës dhe vëmendjes së institucioneve shqiptare. Sot e nisëm ditën me një ndjenjë më të mirë, sepse Kosova arriti një unitet institucional në një moment të rëndësishëm. Tani të vazhdojmë. Me më shumë punë. Me më shumë përkushtim. Me më shumë përgjegjësi. Dhe mbi të gjitha:

TË NDRYSHËM NË MENDIME, POR TË BASHKUAR PËR KOSOVËN

Në emër të Kryesisë së Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës”, me qendër në Zvicër, i urojmë Republikës së Kosovës për përmbylljen e procesit institucional dhe Presidentes së zgjedhur suksese në detyrën e saj.

Urime Presidente!
 Urime Kosovë!
 Zoti e bekoftë Kosovën dhe shqiptarët kudo që jetojnë!

PhD. Dashnim Hebibi
Kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” – Zvicër

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

NGA PROFESORESHA IME – PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

0
Nga Shefqet Cakolli Kryetar i SH.K.A. “Dardania” Winterthur" Kujtime nga bankat e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, në fillim të viteve të ’80-ta Zgjedhja e...