Trajneri i Shqipërisë shpjegon zgjedhjet e tij dhe komenton mungesën e minutave për Kristian Shpendin
Shqipëria e mbylli me fitore përballjen ndaj San Marinos, duke triumfuar 2-1 në një ndeshje ku kuqezinjtë e siguruan suksesin vetëm në minutat e fundit. Pas takimit, trajneri Rolando Maran doli në konferencën për shtyp, ku foli për paraqitjen e skuadrës, vështirësitë ndaj kundërshtarëve të tillë, por edhe për zgjedhjet në repartin ofensiv.
Një nga pyetjet kryesore drejtuar teknikut italian kishte të bënte me Kristian Shpendin. Sulmuesi, i cili po paraqitet mirë në Itali, nuk mori asnjë minutë në tri ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, çka ka ngjallur diskutime rreth vendimeve të trajnerit.
Maran theksoi se Shqipëria ka disa alternativa në sulm dhe se zgjedhjet bëhen në varësi të kundërshtarit dhe karakteristikave të ndeshjes.
“Sa i përket Shpendit, kemi shumë lojtarë të nivelit të lartë. Daku që luan me Spartakun e Moskës, Manaj që luan në Turqi dhe ka shënuar shumë gola. Është fat të kesh shumë lojtarë në dispozicion dhe zgjedhjet bëhen në varësi të lojtarëve dhe ndeshjeve që kemi”, u shpreh Maran.
Trajneri u ndal edhe te paraqitja e Shqipërisë ndaj San Marinos, duke pranuar se skuadra duhet të jetë më e vendosur për të krijuar dhe shfrytëzuar rastet për gol.
Sipas tij, kuqezinjtë nuk duhet të fokusohen vetëm te menaxhimi i avantazhit, por duhet të kërkojnë vazhdimisht të shënojnë.
“Nuk besoj se ka ndeshje dhe kundërshtarë të thjeshtë. Ndaj skuadrave të tilla, që në parim nuk janë ndonjë shqetësim i madh, ndonjëherë nuk jemi shumë të zotë për t’i përballuar”, deklaroi Maran.
Ai kujtoi paraqitjet ndaj Bjellorusisë dhe Finlandës, të cilat i cilësoi si ndeshje të forta, ndërsa për dy përballjet me San Marinon vuri në dukje një qasje më të orientuar drejt administrimit të rezultatit.
“Ne nuk duhet të jemi një skuadër që menaxhon rezultatin, por duhet të jemi një skuadër që lufton, që do të krijojë raste dhe të shënojë më shumë gola”, theksoi trajneri.
Maran pranoi se Shqipëria pati mundësi të shumta në pjesën e parë dhe se ndeshja mund të ishte vendosur shumë më herët.
“Në pjesën e parë mund të kishim shënuar të paktën tre gola, sepse kishim pasur disa raste”, tha ai.
Megjithatë, San Marino arriti të shënonte dhe ta komplikonte situatën për kuqezinjtë. Sipas Maranit, kundërshtari zhvilloi një ndeshje të mirë dhe e bëri të vështirë sfidën për Shqipërinë.
Në fund, goli vendimtar erdhi në minutën e 90-të, duke i dhënë Shqipërisë tri pikët.
“Kur arrijmë të fitojmë, edhe pse në minutat e fundit, vlen gjithsesi”, u shpreh Maran.
Trajneri theksoi gjithashtu se Shqipëria krijoi presion në zonën kundërshtare dhe pati një numër të konsiderueshëm aksionesh dhe goditjesh standarde, çka sipas tij tregon se skuadra është në gjendje të vendosë kundërshtarin nën presion.
Në fund, fitorja është ajo që mbetet në statistika, por fjalët e Maranit tregojnë se trajneri kërkon më shumë nga skuadra, veçanërisht në aspektin e konkretizimit të rasteve dhe menaxhimit të ndeshjeve ndaj kundërshtarëve që mbrohen më shumë.
Ndërkohë, çështja e Kristian Shpendit mbetet një nga temat që pritet të vazhdojë të diskutohet, veçanërisht duke pasur parasysh konkurrencën për një vend në sulmin e Kombëtares./BS










