Përgaditi: PhD.Dashnim HEBIBI
/ Stamboll, 30 nëntor 2024/
Dita e premte e datës 29.11.2024 ishte e ngjeshur me shumë takime në Stamboll të Turqisë për z. Florim Useinin, kryetar nderi i Rrjetit të Biznesve Shqiptare në Zvicrën Qendrore, një personalitet i njohur, jo vetëm në Zvicër, afarist dhe personalitet i unitetit, i cili ka fituar besimin e shumë afaristëve të njohur, jo vetëm në Zvicër, por edhe më larg. Z. Useini ishte i ftuar në Kosovë nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për të kremtuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit dhe 112 Vjetorin e Shtetit Shqiptar.
Ai, enkas nga Zvicra, shkoi dhe më pastaj realizoi edhe disa takime të tjera në Prishtinë, në Maqedoni të Veriut dhe iu drejtua Stambollit për të pasur takime me miq të tjerë në Turqi. Atje kemi një komunitet shumë të madh dhe janë me peshë të madhe. Z. Useini ka në letër disa projekte në të mirë të mërgatës sonë në Zvicër, por edhe për shtrirje të bashkëpunimit edhe me afaristë në shtete të tjera të Evropës dhe në tokat shqiptare.
Florimi, me miqtë e tij, bashkoi shumë afaristë dhe shkencëtarë. Shihet që projektet nuk do të ndalen për të ardhmen e gjeneratave të reja që po rriten në Zvicër, por edhe më gjerë. Z. Useini, edhe si afarist, por edhe si bëmirës e atdhetar, iu drejtua Stambollit për të takuar disa personalitete atje dhe mes tyre takoi njërin nga më të rëndësishmit atje, që është afër presidentit të Turqisë.

Siç e dimë edhe ne, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tash e sa vite në kabinetin e tij e ka rezervuar një vend për një shqiptar, të cilit ia ka besuar informatat për zhvillimet në Evropën Juglindore. Është ky bashkëkombësi ynë Sabri Demiri, i lindur në ish-kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, që kishte rrugëtuar në Turqi për të nxënë dije, pa e ditur se do të bëhej pjesë e ekipit të një prej liderëve më të fuqishëm në botë.
Z. Demiri, shkollën fillore dhe të mesme i ka përfunduar në vendlindje. Në vitin 1992 ishte regjistruar në Universitetin e Sarajevës, në drejtimin e Teologjisë, por nisja e luftës në Bosnje dhe Hercegovinë kishte bërë që ai të largohej nga aty, për të vazhduar rrugën për në Damask të Sirisë, ku ka përfunduar studimet në Institutin e Gjuhës Arabe. Në vitin 1994 është zhvendosur në Turqi.
Një vit pas përvetësimit të gjuhës turke, nisi studimet themelore dhe ato të magjistraturës në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin Marmara. Në vitin 2009, më ftesë të Erdoganit – aso kohe kryeministër i Turqisë – u emërua këshilltar i tij, punë të cilën e ka vazhduar deri në vitin 2014. Në kohën kur ish-kryeministri Erdogan merr pozitën e kreut të shtetit, emërohet këshilltar për Ballkanin – detyrë të cilën e ushtron edhe aktualisht, por tani si kryekëshilltar.
Florimi, falë disa miqve të tij, ka rënë në kontakt me z. Demiri dhe ai e ka mirëpritur si vëlla në Stamboll. Me të kanë bashkëbiseduar për tema të ndryshme, kryesisht rreth rrjetit, pastaj rreth punës që po bëjnë bashkatdhetarët tanë në Zvicër dhe Evropë dhe që mendjen dhe shpirtin e kanë në atdhe dhe trupin në vend të huaj.
Z. Useini e ka njoftuar edhe me disa projekte e në veçanti për një projekt shumë të mirë dhe jetik për mërgatën tonë. Ndërsa z. Demiri, e falenderoi shumë z. Useini që ka ardhur për ta takuar dhe “po besoj shumë” ka thënë ai, “se do ta takosh edhe Presidentin, sepse ai ka respekt ndaj nesh, por sot ka disa takime dhe po besoj shumë shpejt do të takohemi në Kosovë.”
Ai, gjatë bashkëbisedimit me z. Useini e kishte njoftuar për afërsinë që e ka me presidentin. Erdogani e nderon dhe e çmon shumë kombin tonë. E ka një sinqeritet dhe dashamirësi ndaj shqiptarëve; një qasje vëllazërore ndaj nesh. Raportet e shtetit turk me dy shtetet shqiptare, me Kosovën dhe Shqipërinë, po intensifikohen dita-ditës. Ndërsa, është botërisht e ditur se kemi raporte të një parneriteti strategjik.

Dua të them se Presidenti Erdogan e sheh raportin me shqiptarët si marrëdhënie pa kushte dhe shteti turk e ka bërë të qartë agjendën e tyre në raport me shqiptarët në Kosovë, në Shqipëri dhe në përgjithësi në Ballkan. Nuk është fakt i panjohur angazhimi personal i tij në lobimin për njohjen e Kosovës si subjekt ndërkombëtar.
E them me përgjegjësi të plotë: nuk ekziston forum rajonal ose botëror ku ai nuk bën thirrje që të njihet shtetësia e Kosovës. Janë mijëra studentë shqiptarë që me bursa shtetërore i kanë përfunduar e po i ndjekin studimet në Turqi. Brenda një periudhe , shteti turk, përmes organizatave shtetërore, ka realizuar qindra projekte në Shqipëri, qindra në Maqedoni dhe qindra në Kosovë.
Turqia është shembull i ngritjes së madhe ekonomike, ndaj kjo praktikë synohet të ndahet me vendet e Ballkanit. “Mos harroni se në rrugëtimin tuaj e keni mbështetjen e pashoqe të Presidentit Erdogan. Ndërkaq, ju siguroj se unë – Sabri Demiri i gjakut tuaj, nuk do të kursehem asnjëherë që, nga pozicioni im, ta ndihmoj Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë. E lus Zotin për shëndetin dhe mirëqenien tuaj.” Gjithashtu, na uroi edhe Festën e 28 Nëntorit, 112 Vjetorin e Shtetit Shqiptar e Ditën e Flamurit.
Z. Useini, për helveticALforum shtoi se këtë takim nuk do ta harrojë kurrë dhe ka mësuar gjëra të mira nga z. Demiri. Ai shpreson se së shpejti do të takohen në Turqi dhe do të njoftohen edhe me punët e rrjetit dhe të diasporës sonë, që po e ruajnë gjuhën, traditën tonë kombëtare e duke respektuar e nderuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Z. Useini pritet që gjatë fundjavës do të jetë në Maqedoni të Veriut dhe pastaj do të jetë në Zvicër për të filluar përditshmërinë e tij familjare, ngase ka angazhime edhe në firmën e tij, por kur është në pyetje e ardhmja e kombit e sidomos gjenerata e re e diasporës, ai nuk di të ndalet, nuk di lodhje dhe me ndihmën e të gjithëve, profesionistëve, zemërbardhëve, do të punojë shumë për të jetësuar projektet tona e duke falënderuar edhe Zvicrën që asnjëherë nuk ka penguar ata që duan punë dhe përkushtim për paqe dhe unitet.
helveticALforum