Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar se ka nisur shitja e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës për ndeshjen ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, e cila do të zhvillohet më 1 tetor 2026 në Debrecen të Hungarisë.
Tifozët që dëshirojnë të jenë të pranishëm në këtë përballje duhet të plotësojnë me kujdes të dhënat personale gjatë procesit të regjistrimit dhe blerjes së biletës.
Për sigurimin e biletës kërkohen numri i letërnjoftimit ose pasaportës, fotografia e dokumentit identifikues, emri dhe mbiemri i plotë, saktësisht siç figurojnë në dokument, adresa e emailit dhe numri i telefonit.
FFK ka theksuar se saktësia e të dhënave është e domosdoshme. Tifozët të cilët nuk i plotësojnë saktë informacionet e kërkuara, apo të dhënat e identifikimit të të cilëve nuk përputhen me ato të regjistruara në biletë, nuk do të lejohen të hyjnë në stadium.
Shitja e biletave për sektorin e tifozëve të Kosovës do të jetë e hapur deri më 30 shtator, në orën 20:00.
Ndeshja do të zhvillohet në Debrecen, me fillim nga ora 20:45, ndërsa dyert e stadiumit do të hapen në orën 19:15. Tifozët e Kosovës do të jenë të vendosur në sektorin D3.
Detajet e ndeshjes
- Ndeshja: Izrael – Kosovë
- Data: 1 tetor 2026
- Ora: 20:45
- Vendi: Debrecen, Hungari
- Hapja e dyerve: 19:15
- Sektori i tifozëve të Kosovës: D3
- Afati i fundit për blerjen e biletave: 30 shtator, ora 20:00
- Linku për blerjen e biletave:
https://tickets.leaan.net/…/6ab7795f2b745f8c9cb17552
Tifozët mund t’i blejnë biletat përmes platformës së përcaktuar për këtë ndeshje, duke u kujdesur që të gjitha të dhënat e kërkuara të përputhen plotësisht me dokumentin e identifikimit.
FFK u ka bërë thirrje tifozëve që do ta përkrahin Kombëtaren e Kosovës në këtë ndeshje që gjatë procesit të blerjes të tregojnë kujdes të veçantë në plotësimin e të dhënave, për të shmangur probleme gjatë hyrjes në stadium, transmeton rtk.










