Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale se futbollisti Bledian Krasniqi është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës.
CYRIH, 20 shtator 2026 – Një tjetër futbollist me prejardhje nga diaspora pritet t’i bashkohet Përfaqësueses A të Kosovës. Shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, ka njoftuar përmes rrjeteve sociale për përzgjedhjen e Bledian Krasniqit në përfaqësuesen A të Kosovës. Krasniqi tashmë është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, duke përmbushur një nga hapat e nevojshëm për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Mirë se erdhe, Bledian!”, shkroi Berisha në njoftimin e tij, duke uruar futbollistin për këtë hap të rëndësishëm në karrierën e tij. Ai falënderoi Krasniqin për zgjedhjen që të përfaqësojë Kosovën dhe i uroi suksese në sfidat e ardhshme me fanellën e Dardanëve. Përzgjedhja e Krasniqit në Përfaqësuesen A dhe pajisja me pasaportën e Kosovës shënojnë një moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij sportiv, ndërsa ai pritet të jetë pjesë e ekipit që përfaqëson Kosovën në garat ndërkombëtare. Në fund të mesazhit të tij, Berisha përcolli edhe një mesazh simbolik për futbollistin dhe përfaqësuesen kosovare: “Një ekip. Një fanellë. Një Kosovë“, transmeton helveticALforum.ch










