Një tjetër lajm i mirë vjen për Përfaqësuesen e Kosovës. Pas Bledianit, edhe Dioni Kaçuri do të jetë pjesë e përfaqësueses së Kosovës në futboll, duke zgjedhur të mbajë fanellën e Dardanëve dhe të përfaqësojë vendin në arenën ndërkombëtare. Lajmin e ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale shefi i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha. Ai njoftoi se Kaçuri tashmë është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës në Konsullatën e Përgjithshme në Cyrih, duke përmbyllur kështu një hap të rëndësishëm drejt përfaqësimit të Kosovës.
“Mirë se erdhe, Dion!”, ka shkruar Berisha në njoftimin e tij, duke shprehur kënaqësinë për përzgjedhjen e Kaçurit në Kombëtaren A të Kosovës.
“Dioni, tashmë është pajisur me pasaportën e Republikës së Kosovës në Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih”, thuhet në njoftim.
Berisha ka falënderuar futbollistin për zgjedhjen e Kosovës dhe për vendimin që ta përfaqësojë vendin me fanellën e Dardanëve.
“Faleminderit, Dion, që zgjodhe Kosovën dhe që do ta përfaqësosh vendin tonë me fanellën e Dardanëve”, ka shkruar ai.
Në fund, shefi i Konsullatës së Përgjithshme në Cyrih i ka uruar Kaçurit suksese në rrugëtimin e tij të ri me përfaqësuesen e Kosovës.
“Urime për këtë hap të rëndësishëm dhe shumë suksese në sfidat që të presin me ekipin e Dardanëve!”, përfundon urimi i Berishës.
Me ardhjen e Dion Kaçurit, Kosova vazhdon të afrojë në përfaqësuese futbollistë me potencial nga diaspora, duke zgjeruar grupin e lojtarëve që zgjedhin fanellën dardane, përcjell helveticALforum.ch.









