Shkruan Saime ISUFI, koordinatore e LAPSH-it për kantonin e Bernit
Një javë e mbushur me mall, dashuri, kujtime dhe me frymën e ngrohtë të vendlindjes, mes njerëzve të shtrenjtë të familjes dhe në disa pjesë të trojeve të Atdheut tim.
Kjo javë nisi me një gëzim të veçantë familjar: me festën e lindjes së stërnipit tim të vogël, Luanit, ardhja në jetë e të cilit solli edhe më shumë dritë e gëzim në familjen tonë.
Më pas, takimet e këndshme vazhduan me mbesat e mia të dashura, Flakën dhe Gjiltinën, të ardhura nga Portugalia dhe Belgjika për punën e tyre kërkimore në kuadër të doktoraturës, njëra në Prishtinë e tjetra në Krushë. Ishte kënaqësi e veçantë të shihja përkushtimin e tyre dhe të ndaja me to çaste të ngrohta familjare.
Udhëtimi vazhdoi drejt Dardanës, në familjen e tezes sime të dashur, Hazbije, ku dashuria familjare, por edhe dhimbja për humbjen e kryefamiljarit e kujtimet e vjetra u ndërthurën me biseda e përqafime të sinqerta. Pastaj erdhi një tjetër takim i shumëpritur me shoqen time të studimeve, Ylfeten, me të cilën kujtimet e viteve të rinisë u rikthyen natyrshëm, sikur koha të mos kishte kaluar.
Por një nga çastet më të veçanta të kësaj jave ishte udhëtimi drejt fshatit të lindjes së nënës sime të shtrenjtë. Atje, mes rrugëve, shtëpive dhe kujtimeve të një vendi që mbart gjurmët e saj, u takova me kushërinj e kushërira të shumtë. Me disa prej tyre nuk isha parë prej vitesh të tëra; të tjerë, i takova për herë të parë dhe i njoha vetëm ditën e takimit. Takimin e kishte organizuar kushëriri Enver me bashkëshorten.
Ishte një ndjesi e veçantë: të gjeje në një vend të vetëm aq shumë fytyra, emra, rrëfime dhe lidhje gjaku që koha e largësia i kishin lënë në heshtje. Çdo përqafim sillte një kujtim, çdo bisedë hapte një derë të së kaluarës dhe çdo emër më afronte edhe më shumë me rrënjët e mia.
Dhe në fund takimi me shokët e shoqet e klasës së gjimnazit, për një kafe e përgatitje të takimit, në vitin e ardhshëm, në jubileun e 50 vjetorit të përfundimit të gjimnazit.
Kështu, kjo javë ishte varg vizitash. Ishte një udhëtim drejt rrënjëve, një kthim te njerëzit e mi, te kujtimet, te dashuria familjare dhe te vendet që mbajnë brenda tyre një pjesë të historisë sime.
U ktheva prej kësaj jave me zemrën plot. Me shumë fytyra të reja në kujtesë, me kujtime të vjetra të ringjallura dhe, mbi të gjitha, me një ndjenjë të thellë mirënjohjeje që, pavarësisht viteve dhe largësive, rrënjët vazhdojnë të na thërrasin dhe të na bashkojnë.
( Sot, më 20 gusht, znj. Saime feston datëlindjen. I urojmë shëndet, lumturi dhe të gjitha të mirat në jetë! )










