BallinaAtdheuKosova nuk ka krizë politike, por krizë të modelit qeverisës!

Kosova nuk ka krizë politike, por krizë të modelit qeverisës!

Nga Prof. dr. Fadil MALOKU, sociolog

Gardianët e idesë apo konceptit që pretendojnë, po edhe insistojnë ta zgjidhin krizën e “kaosit” që po ripërsëritet rreth krijimit të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e fundit, duket se ende nuk janë duke e kuptuar se kjo krizë institucionale nuk ka të bëjë me dilemën se kush do ta formojë qeverinë apo si do të zgjidhet Presidenti. Problemi fundamental është dhe duket se do të mbetet edhe për një kohë në “sirtarët” e diskursit publik, vetëm shkaku se aktorët politikë, po as mediet, as shoqëria civile e as ca opinionistë rrahagjokës, nuk po e kuptojnë apo nuk po duan ta kuptojnë se Kosova, si në sferën e bindjes qytetare, ashtu edhe në kulturën e sjelljes elektorale dhe demokratike, ka ndryshuar me të madhe. Dorën në zemër, ky ndryshim tash ky rezultat nuk mund t’i adresohet vetëm i emancipimit politik vendor, por edhe proceseve, e sidomos zhvillimeve aktuale, kontinentale dhe globale që janë duke ndodhur.

Dhe kur këta dy faktorë fuzionohen midis vetes, frenimi apo kontestimi bëhet i pamundur, ngase, është i njohur fakti sociologjik se kur një shoqëri fillon të ndryshojë, atë s’ka forcë që e rikthen në status quo-në e mëparshme. Andaj po them që zgjidhja e krizës që po na rishfaqet si “fytyrat e Jonusit”, nuk mund të rikthehet me urdhër e as me insistime ad hoc dhe me të njëjtët mekanizma, me të njëjtën gjuhë dhe me të njëjtën logjikë politike që e ka adresën te arkitektura e vjetër “ahtisariane”, që e dominoi mënyrën e qeverisjes në Kosovë për dekada të tëra.

Tekefundit, këtë hipotezë të dyshimit tim në kapacitetet e kësaj arkitekture e dëshmuan siç potencova më lartë si spostimi, ashtu edhe bindjet tektonike të elektoratit, nga një elektorat amnestues ndaj kompromiseve që u bënë në emër të tij, por në dëm të interesave të shtetit dhe kombit në faza afatgjata, në një elektorat të formuar dhe të emancipuar politikisht për vendimmarrjet e dëmshme (Marrëveshjet e vitit 2013, 2015, po edhe kjo e vitit 2023) që u morën sërish në emër dhe në firmë të tij!

Tani, për të qenë edhe më konkret në këtë shpjegim nga “gryka” e sociologjisë së njohjes, duhet thënë troç që kjo logjikë emancipuese politikisht është kah tentohet të refuzohet nga një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë kosovare. Por, studiuesit seriozë që pretendojnë të “shohin” përtej dioptrisë së ngushtë klanore, grupore, partiake apo ideologjike, e kanë për obligim jo vetëm moral (shkaku i sakrificave madhore njerëzore), por edhe politik, që ka të bëjë me interesat strategjike të Republikës, që këtij elektorati të zgjuar dhe të emancipuar t’ia demaskojnë qëllimet e vërteta të politikanëve që nuk ecin me kohën dhe interesat e vendit.


Sepse, ky verdikt i elektoratit të ditëve të sotme, sa po mund të kuptoj midis shumë mesazheve kësaj kaste politike, është kah u thotë: Projekti i shtetit të Kosovës, me të gjitha ato sakrifica të shumë brezave që u bënë, nuk ka nevojë të mbrohet vetëm nga armiqtë e jashtëm që janë me bollëk, por edhe nga kundërshtarët tanë naivë e sharlatanë që i kemi në “oborrin” tonë sociopolitik, që ende s’po mund ta kuptojnë se Republika aktuale ka nevojë imediate (për të mos thënë edhe ekzistenciale) ta konsolidojë sovranitetin e shantazhuar, të kontestuar dhe të hamendësuar, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga ca shtete evropiane që nuk po e kanë guximin të na njohin. Dhe, nëse e absolutizojmë me një fjali hipotezën tonë të nisur rreth krizës që e kemi ende në horizont, arrijmë të kuptojmë arsyen e vërtetë të përplasjes mes qeverisë dhe opozitës. Kosova dhe shoqëria e saj, sidomos ajo pjesë më e emancipuar politikisht, po kërkon, po insiston, po edhe është kah VOTON që të shndërrohet nga një “objekt” i shtrirë në “sallat” e Uashingtonit dhe Brukselit, si një pacient me probleme akute, në një subjekt aktiv dhe vendimmarrës, sikurse të gjitha shtetet e tjera normale westfaliane.  

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Revista polake: Shqipëria parajsa ballkanike që ka ruajtur autenticitetin

0
Revista prestigjioze polake ”Ambassador” i ka kushtuar një artikull të veçantë Shqipërisë, duke sjellë një panoramë të bukurive natyrore, bregdetit, qyteteve historike, trashëgimisë kulturore...