POSTIMET E FUNDIT

ANSAMBLI “TROJET” NË CHRÜZLINGER FÄSCHT 2026 – NJË PËRFAQËSIM DINJITOZ I KULTURËS SHQIPTARE

Të shtunën, më 21 qershor 2025, Ansambli “TROJET” pati nderin dhe kënaqësinë të marrë pjesë edhe një herë në manifestimin tradicional Chrüzlinger Fäscht në Kreuzlingen të Zvicrës, duke përfaqësuar me krenari kulturën, traditat dhe identitetin kombëtar shqiptar.

Screenshot

Në këtë festival shumëkulturor, ku prezantohen popuj dhe kultura të ndryshme nga mbarë bota, grupi i mesëm i Ansamblit “TROJET” dhuroi një paraqitje të shkëlqyer artistike. Nën duartrokitjet e shumta të publikut, valltarët tanë sollën valle të përzgjedhura nga treva të ndryshme shqiptare, duke dëshmuar pasurinë dhe bukurinë e folklorit tonë kombëtar. Atmosferën e bëri edhe më madhështore interpretimi i solistes sonë të talentuar Eliza Zeqiri, e cila me zërin e saj brilant dhe interpretimin plot emocion përcolli te publiku bukurinë e këngës shqiptare, duke marrë vlerësime dhe duartrokitje të ngrohta nga të pranishmit.

Screenshot

Një moment i veçantë ishte edhe parakalimi i anëtarëve të Ansamblit “TROJET” përgjatë rrugës kryesore të festivalit, me flamujt kombëtarë shqiptarë në duar dhe me flamurin e ansamblit në ballë. Në të dy anët e rrugës ishin vendosur tendat e komuniteteve të ndryshme, ndërsa delegacioni ynë u ndal te stenda shqiptare, e cila prezantonte kulturën, traditat, turizmin dhe gastronominë shqiptare para mijëra vizitorëve.

Screenshot

Stenda shqiptare ishte organizuar me shumë përkushtim nga komuniteti shqiptar në Kreuzlingen, nën udhëheqjen e veprimtarit të palodhur Avni Avdyli, i cili prej vitesh jep kontribut të çmuar në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kombëtar, në organizimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe dhe në forcimin e jetës kulturore të komunitetit shqiptar në këtë qytet. Ansambli “TROJET” shpreh mirënjohjen më të thellë për Avni Avdylin, familjen e tij dhe të gjithë bashkëpunëtorët që me përkushtim e bëjnë të mundur prezantimin e denjë të shqiptarëve në këtë manifestim të rëndësishëm.

Screenshot

Një falënderim i veçantë shkon edhe për grupin e aktivistëve të komunitetit shqiptar “Grupi 8” në Kreuzlingen, të cilët në shenjë respekti për kontributin e Ansamblit “TROJET” dhe përfaqësimin e vazhdueshëm të komunitetit shqiptar me këngë e valle, kanë dhuruar një mbështetje financiare prej 500 frangash zvicerane për udhëtimin e ansamblit në Festivalin Shqiptaro-Amerikan në Detroit, Michigan, SHBA. Ky gjest fisnik është një dëshmi e mbështetjes dhe vlerësimit që bashkatdhetarët tanë i japin ruajtjes dhe promovimit të kulturës shqiptare përtej kufijve të atdheut.

Screenshot

Mirënjohja jonë shkon për:

• Avni dhe Hatixhe Avdyli

• Ragip dhe Bukurie Avdyli

• Lumni dhe Emine Avdyli

• Selatin dhe Flora Bytyqi

• Jeton dhe Zejnepe Rexhepi

• Bejtush dhe Majlinda Kastrati

• Kadrush dhe Hanife Murtaj

• Rexhep dhe Ajtene Murtaj

Përveç mbështetjes financiare, këta veprimtarë dhe familjet e tyre treguan mikpritjen tradicionale shqiptare duke shtruar drekë, pije dhe ushqime për të gjithë anëtarët dhe përfaqësuesit e Ansamblit “TROJET”, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë familjare dhe vëllazërore.

Ansambli “TROJET” ju falënderon sinqerisht për respektin, mikpritjen dhe mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Kontributi juaj na jep forcë që të vazhdojmë misionin tonë për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e kulturës shqiptare kudo ku jetojnë shqiptarët.

Me njerëz të tillë, që punojnë në heshtje por me zemër të madhe për kombin, kultura jonë jo vetëm që ruhet, por edhe lartësohet para botës.

Faleminderit Kreuzlingen! Faleminderit komunitetit shqiptar! Faleminderit “Grupi 8”! Së bashku për kulturën, traditën dhe krenarinë shqiptare, njofton Ansambli Trojet, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB