Lojërat Olimpike dhe Paralimpike Dimërore të vitit 2038 mund të zhvillohen në Zvicër. Këshilli Federal ka bërë të ditur se është i gatshëm ta mbështesë këtë ngjarje të madhe sportive me deri në 200 milionë franga, ndërsa vendimi përfundimtar tani kalon në Parlament, transmeton 20min.ch. Sipas planit aktual, Zvicra është në një “dialog të privilegjuar” me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar për organizimin e Lojërave. Kjo do të thotë se deri në fund të vitit 2027 vendi mund të përgatisë dosjen e tij pa konkurrencë nga shtete të tjera. Nëse projekti përmbush kërkesat për organizim, financim dhe objektivat e qëndrueshmërisë dhe trashëgimisë sportive, rruga për organizimin e Lojërave në Zvicër konsiderohet e hapur. Këshilli Federal, i udhëhequr nga ministri i sportit Martin Pfister, e mbështet projektin duke theksuar përfitimet e mëdha që mund të sjellë: zhvillimin e sportit, inovacionin teknologjik, forcimin e kohezionit social, rritjen e turizmit dhe përmirësimin e imazhit të Zvicrës në arenën ndërkombëtare.
Sipas qeverisë, Lojërat do të shërbejnë gjithashtu si frymëzim për brezat e rinj të sportistëve zviceranë, si “Odermatt-at dhe Meillard-at e ardhshëm”. Qeveria federale planifikon të kontribuojë me maksimum 200 milionë franga nga buxheti i shtetit. Projekti “Switzerland 2038”, i cili merret me organizimin e Lojërave, vlerëson se kostot totale do të arrijnë rreth 2.2 miliardë franga. Kontributi i Konfederatës parashikohet të shpërndahet në disa fusha: 60 milionë për mbështetjen e Lojërave Paralimpike, 50 milionë për uljen e kostove të transportit publik për vizitorët, 80 milionë për shpenzimet e tjera të organizatës përgjegjëse dhe 10 milionë për shpenzime të paparashikuara. Në këtë shumë nuk përfshihen shpenzimet e sigurisë, të cilat mbeten përgjegjësi e zakonshme e shtetit federal, përfshirë ushtrinë, doganat, policinë federale dhe shërbimet e inteligjencës. Një kusht i rëndësishëm për mbështetjen federale është që kantonet dhe komunat të kontribuojnë me të paktën të njëjtën shumë financiare në organizimin e Lojërave.
Në rast se kostot tejkalojnë 2.2 miliardë franga, kontributi i Konfederatës nuk do të rritet. Po ashtu, qeveria ka bërë të qartë se nuk do të marrë përgjegjësi për deficitet e mundshme financiare. Sipas Këshillit Federal, projekti nuk do t’i nënshtrohet referendumit federal, pasi nuk konsiderohet me rëndësi të madhe kushtetuese dhe rreziqet financiare për Konfederatën vlerësohen si të kontrollueshme. Megjithatë, vendimmarrja dhe pjesëmarrja lokale do të mbeten të rëndësishme në zonat ku do të zhvillohen garat, duke i dhënë komuniteteve vendore një rol në procesin e organizimit, transmeton 20min, përcjell helveticALForum.ch.




