BallinaEKSKLUZIVEAmbasadori Sela ndërton edhe ura kulturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë

Ambasadori Sela ndërton edhe ura kulturore mes Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë

-

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Berlin, 27 gusht 2026 – Diplomacia kulturore po merr një dimension të ri në marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Në kuadër të aktiviteteve të tij diplomatike, ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, vizitoi prestigjiozen Gemäldegalerie, pjesë e Muzeve Shtetërore të Berlinit, ku u prit nga drejtoresha e saj, Dr. Dagmar Hirschfelder. Takimi u përqendrua në mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm ndërmjet Gemäldegalerie dhe institucioneve përkatëse kulturore të Maqedonisë së Veriut. Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së krijimit të hapësirave ekspozuese për artistët nga Maqedonia e Veriut, duke u dhënë atyre mundësi që veprat e tyre t’i prezantojnë para publikut gjerman dhe atij ndërkombëtar. Për një vend me një trashëgimi të pasur kulturore dhe artistike, prezantimi në institucione të nivelit evropian përbën një mundësi të rëndësishme për afirmimin ndërkombëtar të artistëve dhe të vlerave kulturore të vendit.

Gjatë takimit, ambasadori Sela e ftoi drejtoreshën Hirschfelder për një vizitë në Maqedoninë e Veriut, me synimin që të njihen nga afër institucionet, potencialet artistike dhe projektet kulturore të vendit. Një pikë tjetër me rëndësi në këtë takim ishte edhe Shkupi, kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut, i cili është zgjedhur Kryeqyteti Evropian i Kulturës për vitin 2028. Ky status paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për forcimin e lidhjeve kulturore me institucionet më të rëndësishme evropiane dhe për promovimin e artistëve, muzeve dhe trashëgimisë kulturore të vendit. Vizita në Gemäldegalerie dëshmon se diplomacia moderne nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet politike dhe ekonomike. Arti dhe kultura janë ura që i afrojnë shoqëritë, krijojnë mirëkuptim dhe ndërtojnë marrëdhënie afatgjata ndërmjet vendeve.

Për ambasadorin Prof. Dr. Ylber Sela, hapja e dyerve të institucioneve prestigjioze gjermane për artistët e Maqedonisë së Veriut është një tjetër hap në drejtim të afirmimit të vendit në hapësirën kulturore evropiane.

Takimi në Berlin mund të shërbejë si pikënisje për projekte të reja, ekspozita dhe partneritete institucionale, duke e shndërruar 2028-ën dhe Shkupin si Kryeqytet Evropian të Kulturës në një mundësi të fuqishme për një prani edhe më të madhe të artit të Maqedonisë së Veriut në Evropë. Kultura krijon ura aty ku politika shpesh ndërton vetëm kufij.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

VATRA NË DEPARTAMENTIN AMERIKAN TË SHTETIT

0
Sot pasdite, një delegacion i nivelit të lartë i Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”, i kryesuar nga Kryetari Dr. Elmi Berisha, së bashku me...