
Nga Florim Useini, Zvicër
Fuqia e komunitetit matet me njerëzit që e mbajnë gjallë
Në këtë ditë pushimi, nën rrezet e ngrohta të diellit, fusha sportive në Derendingen ishte shndërruar në një pikëtakim të veçantë të bashkatdhetarëve tanë në kuadër të turneut tradicional të organizuar nga Shoqata Kulturore Kërçova Zvicër, nën udhëheqjen e kryetarit Resul Mehmedi.

Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Dashamirët e sportit shijonin njëkohësisht bukurinë e ditës dhe emocionet që ofronte gara. Në fushë zhvilloheshin ndeshje me rivalitet sportiv, ndërsa jashtë saj zhvilloheshin biseda, takime dhe çmallje mes miqsh që nuk ishin parë prej kohësh. Ishte një ditë që dëshmoi edhe një herë se sporti nuk është vetëm garë, por edhe urë lidhëse mes njerëzve.

Isha i nderuar të shoqërohesha nga miku im Sheza Mehmedi nga Gostivari, ndërsa mysafir i veçantë ishte edhe atdhetari i njohur Shabi Matnjani nga Shkupi. Po ashtu, pata kënaqësinë të takoja shumë aktivistë me të cilët kemi bashkëpunuar ndër vite për rrugëtimin dhe zhvillimin e kësaj shoqate, njerëz që edhe sot vazhdojnë të kontribojnë me përkushtim dhe pa u kursyer për të mirën e komunitetit.

Ajo që më ra në sy ishte mungesa e ekipit të administratës komunale dhe e kryetarit të komunës, të cilët për vite me radhë kanë qenë pjesë e këtij turneu tradicional. Megjithatë, nuk mungoi Ambasadori i Maqedonisë së Veriut z. Rexhep Demiri , i cili nderoi të pranishmit me pjesëmarrjen e tij dhe pati kënaqësinë t’ia dorëzojë kupën ekipit fitues të turneut.

Mirënjohje të veçantë për kryetarin Resul Mehmedi, kryesinë dhe të gjithë aktivistët që me punën e tyre vullnetare mbajnë gjallë këtë traditë të bukur. Këto organizime nuk ndërtohen vetëm me dëshirë, por me sakrificë, përgjegjësi dhe dashuri për komunitetin.

Respekt për çdo aktivist që jep kontributin e tij, qoftë edhe më të voglin. Janë pikërisht këta njerëz që mbajnë gjallë shoqatat tona, ruajnë lidhjet mes bashkatdhetarëve dhe forcojnë frymën e unitetit në diasporë.




