POSTIMET E FUNDIT

Vigan Berisha merr pjesë në “Fest der Kulturen 2026” në Glarus, vlerëson kontributin e komunitetit shqiptar

Glarus, 20 qershor 2026 – Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Cyrih, Vigan Berisha, mori pjesë në manifestimin e njohur shumëkulturor “Fest der Kulturen 2026”, i organizuar nga autoritetet kantonale në Glarus. Ngjarja mblodhi komunitete të ndryshme kulturore dhe etnike, duke promovuar diversitetin, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën në shoqërinë zvicerane. Siç mëson HelveticALForum.ch, z. Berisha u mirëprit ngrohtësisht nga organizatorët dhe pjesëmarrësit e manifestimit. Duke përshkruar përshtypjet e tij nga kjo ngjarje, ai theksoi rëndësinë e kulturës si urë lidhëse ndërmjet popujve dhe komuniteteve.

“Dje në Glarus, kishim kënaqësinë të marrim pjesë në ‘Fest der Kulturen 2026’, një manifestim i rëndësishëm i organizuar nga autoritetet kantonale, i cili promovon diversitetin kulturor, mirëkuptimin dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve”, u shpreh Berisha. Gjatë aktivitetit, ai shprehu vlerësim të veçantë për angazhimin e Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSh) në Kantonin e Glarusit, e cila prezantoi kulturën shqiptare përmes pjesëmarrjes së nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve. Sipas tij, paraqitja dinjitoze e traditave shqiptare, interpretimet me këngë dhe valle tradicionale, si dhe prezantimi i gastronomisë kombëtare, dëshmuan pasurinë kulturore të shqiptarëve dhe rolin e rëndësishëm që mërgata shqiptare luan në jetën shoqërore dhe kulturore të kantonit.

“Interpretimet me këngë dhe valle tradicionale, si dhe prezantimi i gastronomisë shqiptare, përbënin një dëshmi të bukur të identitetit tonë kombëtar dhe të kontributit të mërgatës shqiptare në jetën shoqërore dhe kulturore të Kantonit të Glarusit”, theksoi ai. Në fund të vizitës, Berisha falënderoi organizatorët dhe të gjithë kontribuuesit për realizimin me sukses të manifestimit, duke nënvizuar se ngjarje të tilla forcojnë dialogun ndërkulturor dhe miqësinë ndërmjet popujve.

“Shprehim mirënjohjen tonë për organizatorët dhe për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e këtij manifestimi, i cili edhe një herë dëshmoi se kultura mbetet një urë e fuqishme e afrimit dhe e miqësisë ndërmjet popujve”, përfundoi ai.

Pjesëmarrja e përfaqësuesit të Kosovës në këtë manifestim u vlerësua si një dëshmi e përkushtimit të institucioneve kosovare për ruajtjen e identitetit kulturor, mbështetjen e komunitetit shqiptar në Zvicër dhe forcimin e marrëdhënieve me institucionet dhe shoqërinë zvicerane, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB