POSTIMET E FUNDIT

Dr. Lumnije Kqiku, kryetare e Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri: Mjekët shqiptarë, vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak

Intervistoi: Sokol Paja

1. Cila është historia e themelimit të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri? Cili është misioni dhe veprimtaria e saj?

Shoqata e Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA) u themelua në mars të vitit 2022 me seli në qytetin e Grazit. Misioni i shoqatës është avancimi i shëndetit përmes edukimit dhe bashkëpunimit profesional. Për ne është shumë e rëndësishme të ndërtojmë ura bashkëpunimi mes mjekëve shqiptarë në Austri, SHBA, Shqipëri, Kosovë dhe në të gjitha trojet shqiptare. Shoqata jonë organizon aktivitete edukative për komunitetin, simpoziume profesionale dhe aktivitete sociale që promovojnë shëndetin dhe solidaritetin në komunitet. Ne besojmë se mjekësia nuk kufizohet vetëm brenda klinikës, por ka edhe një rol të rëndësishëm human dhe edukues në shoqëri.

2. Cili ka qenë kontributi i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë për komunitetin shqiptar në Austri në krijimin e një rrjeti të fortë profesional mes mjekëve shqiptarë?

Një nga objektivat tona kryesore është krijimi i një rrjeti të fortë profesional mes mjekëve shqiptarë, kudo që ndodhen. Synojmë të promovojmë edukimin e vazhdueshëm profesional, shkëmbimin e përvojave klinike dhe përfshirjen e mjekëve të rinj në kërkimin shkencor.

Deri më tani, shoqata ka organizuar tre simpoziume shkencore, të cilat kanë shërbyer si platforma të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e arritjeve shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet mjekëve shqiptarë.

Përmes aktiviteteve tona, kontribuojmë në forcimin e lidhjeve profesionale dhe shoqërore brenda komunitetit shqiptar në Austri, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim.

3. Cili është synimi juaj për bashkëpunim institucional dhe profesional me institucionet në vendlindje dhe trojet e tjera shqiptare?

Qëllimi ynë kryesor është krijimi i një rrjeti profesionistësh që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës, në sisteme të ndryshme shëndetësore dhe me angazhime intensive profesionale, duke nxitur bashkëpunimin institucional dhe kolegjial me vendlindjen.

Motivimi ynë mbetet shumë i madh, sepse shohim një dëshirë të fortë nga komuniteti për edukim dhe bashkëpunim. Besoj se, kur ekziston një mision i përbashkët dhe dëshira për të kontribuar për vendlindjen, sfidat bëhen më të përballueshme.

4. Cilat janë planet dhe projektet për rritjen dhe zhvillimin e shoqatës në vitet që vijnë?

Ne synojmë të zgjerojmë bashkëpunimet tona akademike në të gjitha trojet shqiptare dhe në vendet evropiane ku veprojnë mjekë shqiptarë, përmes konferencave, aktiviteteve ndërgjegjësuese dhe projekteve kërkimore.

Gjithashtu, dëshirojmë të krijojmë partneritete me universitete, institucione shëndetësore dhe organizata lokale për të promovuar edukimin profesional dhe shkëmbimin e përvojave mes mjekëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.

Besojmë se bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar është thelbësor për avancimin e kujdesit shëndetësor në komunitetin tonë.

5. Cilat janë botimet dhe arritjet kryesore shkencore të anëtarëve të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri?

Anëtarët e shoqatës kanë realizuar botime shkencore në fusha të ndryshme të mjekësisë, pasi në SHMSHA janë të angazhuara personalitete të shquara shkencore dhe akademike që veprojnë në universitetet shtetërore austriake.

Këto kontribute shkencore pasqyrojnë nivelin e lartë profesional dhe akademik të anëtarëve tanë dhe shërbejnë si një urë lidhëse mes kërkimit shkencor ndërkombëtar dhe komunitetit shqiptar.

6. Si e vlerësoni bashkëpunimin me partnerët austriakë dhe çfarë rëndësie pati Simpoziumi i Tretë i SHMSHA-së, i mbajtur më 13 qershor 2026 në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Steiermarkut?

Më 13 qershor 2026 u mbajt Simpoziumi i Tretë i Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA), në bashkëpunim me Odën e Mjekëve të Steiermarkut. Ngjarja u zhvillua në ambientet e Odës së Mjekëve të Steiermarkut dhe u karakterizua nga një atmosferë profesionale dhe shoqërore.

E veçanta e simpoziumit të këtij viti ishte formati i ri me një dimension më të gjerë institucional, pasi për herë të parë u organizua në bashkëpunim të ngushtë me Odën e Mjekëve të Steiermarkut. Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në fuqizimin e lidhjeve profesionale ndërmjet komunitetit mjekësor shqiptar dhe institucioneve austriake.

Simpoziumi mblodhi së bashku profesionistë të shëndetësisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe mbarë Austria për të ndarë përvoja, zhvillime të reja shkencore dhe për të forcuar rrjetëzimin mes mjekëve shqiptarë. Ai shërbeu si një platformë profesionale dhe shkencore për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të shëndetësisë.

Simpoziumi u akreditua me 9 pikë DFP nga Oda e Mjekëve të Steiermarkut, duke ofruar vlerë të shtuar profesionale për pjesëmarrësit.

Me këtë organizim, SHMSHA dëshmon rolin e saj si një urë lidhëse mes profesionistëve shqiptarë dhe institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se kontributi i mjekëve shqiptarë në Austri është një vlerë e shtuar për sistemin shëndetësor austriak dhe një burim i çmuar dijeje për mbarë kombin shqiptar.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Gazetën “Dielli” për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë aktiviteteve tona dhe komunitetit shqiptar në diasporë. Gazeta “Dielli” ka qenë gjithmonë një promovuese e rëndësishme e intelektualëve dhe profesionistëve shqiptarë në diasporë dhe një zë shumë i vlefshëm për komunitetin tonë. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB