Zvicra po përgatitet për një nga valët më intensive të të nxehtit të viteve të fundit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë temperatura që mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius gjatë javës së ardhshme. Nëse parashikimet aktuale realizohen, vendi mund të përballet me thyerjen e rekordit absolut të temperaturës për muajin qershor, i vendosur pothuajse tetë dekada më parë. Java ka nisur me mot kryesisht të kthjellët dhe me diell, transmeton 20min.ch. Të hënën, në zonat alpine janë vërejtur disa re të larta, ndërsa gjatë pasdites janë formuar vranësira të pakta lokale. Në pjesën më të madhe të ultësirave zvicerane temperaturat kanë arritur rreth 25 gradë Celsius, duke shënuar fillimin e një periudhe të nxehtë që pritet të zgjasë për disa ditë. Rritja e temperaturave do të jetë e ndjeshme që nga dita e martë. Në orët e mëngjesit temperaturat do të lëvizin rreth 12 gradë, por gjatë pasdites do të arrijnë deri në 27 gradë. Në disa rajone, veçanërisht në Bazel, Valais dhe Ticino, termometri mund të afrohet me kufirin e 30 gradëve. Kulmi i valës së të nxehtit pritet të vijë nga mesi i javës. Të mërkurën moti do të mbetet kryesisht me diell, ndërsa temperaturat në ultësira do të arrijnë rreth 30 gradë. Në Bazel priten deri në 32 gradë, ndërsa rajonet më të nxehta do të jenë Valais dhe pjesë të Zvicrës frankofone, ku temperaturat mund të ngjiten deri në 33 gradë Celsius.Sipas parashikimeve të fundit, periudha nga e enjtja deri në fillim të javës së ardhshme do të karakterizohet nga temperatura mbi 30 gradë në pjesën më të madhe të territorit. Deri të shtunën priten vlera nga 30 deri në 35 gradë, ndërsa të dielën dhe të hënën temperaturat mund të tejkalojnë edhe kufirin e 35 gradëve.
Ekspertët e Meteonews paralajmërojnë se ekzistojnë modele meteorologjike që parashikojnë deri në 38 gradë Celsius në rajonin e Bazelit gjatë së hënës së ardhshme. Nëse ky skenar realizohet, do të thyhej rekordi historik i qershorit prej 36.9 gradësh, i regjistruar më 27 qershor 1947 në Basel-Binningen. Megjithatë, krahas temperaturave të larta, pritet edhe rritje e paqëndrueshmërisë atmosferike. Të enjten reshjet dhe stuhitë do të kufizohen kryesisht në zonat alpine. Të premten rreziku për shtrëngata do të shtohet ndjeshëm, duke u përhapur nga Jura dhe Alpet drejt rajoneve të tjera të vendit. Të shtunën aktiviteti i stuhive pritet të përqendrohet sërish kryesisht në zonat malore. Edhe java e ardhshme premton vazhdim të motit të nxehtë. Sipas MeteoSwiss, gjatë periudhës 22–28 qershor, një sistem i fuqishëm me presion të lartë mbi Evropën Qendrore do të mbajë motin kryesisht të qëndrueshëm dhe me diell. Vetëm në zonat malore mund të ketë ndonjë reshje ose stuhi të izoluar gjatë pasditeve dhe mbrëmjeve. Temperaturat maksimale gjatë kësaj periudhe parashikohet të luhaten mes 27 dhe 35 gradëve Celsius, duke konfirmuar se vera ka mbërritur me intensitet të plotë në Zvicër. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes ndaj temperaturave të larta, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch. ( Foto ilustrim )




