POSTIMET E FUNDIT

Zvicër: Takim i rëndësishëm për mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gjenevë, 16 qershor 2026 – Në prag të 19 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt, Udhëheqësja e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Gjenevë, znj. Floreta Kabashi, siç njofton helveticALForum.ch zhvilloi një takim të veçantë me znj. Feride Rushiti, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT). Gjatë takimit u diskutua për aktivitetet dhe iniciativat e organizuara me rastin e kësaj dite ndërkombëtare, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin për pasojat e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura dhe nevojën për drejtësi për viktimat. Gjithashtu, bashkëbisedueset shkëmbyen mendime mbi angazhimet dhe projektet e ardhshme që synojnë fuqizimin dhe mbështetjen e të mbijetuarve.

Znj. Kabashi shprehu mirënjohjen e saj për punën e palodhshme të znj. Rushiti dhe të ekipit të KRCT-së, duke vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që kjo organizatë ka dhënë ndër vite në rehabilitimin, mbështetjen psikologjike dhe sociale të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ajo theksoi se puna e KRCT-së ka qenë jetike në procesin e rikthimit të dinjitetit dhe integrimit të të mbijetuarve në shoqëri, duke i dhënë zë një prej plagëve më të rënda të luftës. Nga ana e saj, znj. Rushiti vlerësoi bashkëpunimin me institucionet e Republikës së Kosovës dhe nënvizoi rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për njohjen ndërkombëtare të vuajtjeve të të mbijetuarve, si dhe për sigurimin e drejtësisë dhe mbështetjes afatgjatë për ta.

Në Gjenevë, e njohur si qendra botërore e diplomacisë dhe e të drejtave të njeriut, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës po vazhdon të luajë një rol aktiv në promovimin e kauzës së të mbijetuarve të dhunës seksuale në konflikt. Përfaqësuesit e saj ritheksuan përkushtimin për të mbajtur gjallë zërin e të mbijetuarve në forumet ndërkombëtare dhe për të mbështetur kërkesat e tyre legjitime për drejtësi, njohje dhe dinjitet.

Ky takim konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe në avancimin e proceseve që synojnë shërimin dhe fuqizimin e të mbijetuarve të luftës në Kosovë, transmeton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB