POSTIMET E FUNDIT

Spanja dhe Belgjika nisin sot aventurën në Botërorin 2026, vëmendja te Yamal, De Bruyne dhe Salah

Dy prej kombëtareve favorite për Kupën e Botës 2026, Spanja dhe Belgjika, janë gati të bëjnë debutimin e tyre në turne, me sfidat ndaj Kepit të Gjelbër dhe Egjiptit që pritet të tërheqin vëmendjen e tifozëve në mbarë botën. Kombëtarja spanjolle do të përballet me Kepin e Gjelbër në Atlanta, në një ndeshje ku skuadra e Luis de la Fuentes konsiderohet favorite absolute. Trajneri spanjoll ka në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve, megjithëse mund të vendosë të pushojë disa nga titullarët kryesorë. Lajm i mirë për “La Rojën” është rikthimi në stërvitje i Víctor Muñoz, Nico Williams dhe talentit të jashtëzakonshëm Lamine Yamal, të cilët lanë pas problemet fizike të pësuara me klubet e tyre. Spanja hyn në këtë Botëror si një nga pretendentet kryesore për trofeun, duke synuar titullin e dytë në histori pas triumfit të vitit 2010. Në krahun tjetër, Kepi i Gjelbër merr pjesë për herë të parë në një Kampionat Botëror dhe konsiderohet skuadra më pak e favorizuar në Grupin H.

Një tjetër sfidë interesante do të zhvillohet në Seattle, ku Belgjika dhe Egjipti përballen në ndeshjen e Grupit G.

Vëmendja do të jetë e përqendruar te dy nga figurat më të njohura të futbollit modern, Kevin De Bruyne dhe Mohamed Salah, të cilët shpresojnë të lënë gjurmë në një nga Botërorët e fundit të karrierës së tyre.

De Bruyne, ka qenë për vite me radhë lideri i Belgjikës dhe një nga mesfushorët më të mirë në botë. Gjatë karrierës së tij me Manchester City fitoi gjashtë tituj të Premier League, dy FA Cup dhe një Champions League, ndërsa sezonin e fundit u transferua te Napoli. Megjithatë, një dëmtim i rëndë në kofshë në muajin tetor e mbajti jashtë fushave deri në mars. Në anën tjetër, Mohamed Salah mbetet figura kryesore e Egjiptit, edhe pse nuk ka arritur ende ta udhëheqë kombëtaren përtej fazës së grupeve në Kupën e Botës. Egjiptianët nuk morën asnjë pikë në Botërorin e vitit 2018 dhe munguan në edicionin e vitit 2022, transmeton KJone.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB