Në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë u çel sot Shkolla Verore “Politikat kulturore në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE”, e cila do të zhvillohet nga 15 deri më 18 qershor 2026. Aktiviteti organizohet në kuadër të projektit Jean Monnet “Ndërthurja e identiteteve – Harmonizimi i politikave kulturore për integrimin evropian: një rast studimor mbi Shqipërinë”. Ceremonia e hapjes mblodhi drejtues akademikë, pedagogë dhe studentë të interesuar për sfidat dhe perspektivat e integrimit evropian të Shqipërisë. Në aktivitet morën pjesë Dekani i Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, Prof. Dr. Mark Marku, drejtuesja e Departamentit të Historisë, Prof. Dr. Valentina Duka, si dhe pedagogët organizatorë Andi Pinari dhe Andi Rembeci. Gjatë fjalëve përshëndetëse u theksua rëndësia e kulturës dhe trashëgimisë si elemente themelore në procesin e afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Pjesëmarrësit nënvizuan se politikat kulturore përbëjnë një dimension të rëndësishëm të integrimit, duke ndihmuar në forcimin e dialogut ndërkulturor, ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin e vlerave evropiane. Shkolla Verore synon të krijojë një hapësirë debati dhe reflektimi akademik mbi rolin e kulturës në proceset integruese, duke bashkuar ekspertë, pedagogë dhe studentë në diskutime mbi sfidat dhe mundësitë që sjell harmonizimi i politikave kulturore me standardet evropiane.
Përmes leksioneve, diskutimeve dhe aktiviteteve të ndryshme, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të thellojnë njohuritë mbi ndikimin e kulturës në ndërtimin e identiteteve dhe në procesin e integrimit evropian të vendit. Kjo nismë përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kulturës si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Evropës, duke nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e ideve për të ardhmen evropiane të vendit., transmeton Departamenti i Historisë – Universiteti i Tiranës, përcjell helveticALForum.ch.




