Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, duke uruar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për suksesin e arritur.
Në mesazhin e tij, Begaj përgëzoi qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar gjatë procesit zgjedhor, të cilin e cilësoi si të rregullt, të qetë dhe demokratik.
Ai theksoi se ky rezultat dëshmon forcën e institucioneve dhe kulturës demokratike të shtetit të Kosovës.
Presidenti Begaj nënvizoi rëndësinë e angazhimit të të gjitha forcave politike me përgjegjësi dhe frymë konstruktive, për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional.
Sipas tij, kjo është e domosdoshme për stabilitetin, zhvillimin e mëtejshëm të vendit dhe përmbushjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës.
Në fund të reagimit, Kreu i Shtetit shqiptar siguroi se Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian, duke e konsideruar këtë si një prioritet të përbashkët kombëtar dhe rajonal.
“Urime Albin Kurti për rezultatin e arritur në zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës! Përgëzoj qytetarët e Kosovës për pjekurinë e treguar në një proces zgjedhor të rregullt, të qetë dhe demokratik, që dëshmoi edhe një herë forcën e institucioneve dhe të kulturës demokratike të shtetit të Kosovës. Në këtë fazë, është me rëndësi që të gjitha forcat politike të angazhohen me përgjegjësi dhe frymë konstruktive për të garantuar dialogun dhe kompromisin institucional, në funksion të stabilitetit, zhvillimit të mëtejshëm të vendit dhe përmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës. Shqipëria do të vijojë të mbështesë Kosovën në çdo hap të rrugëtimit të saj euroatlantik dhe europian.”- shprehet Presidenti Bajram Begaj, transmeton rtsh.




