POSTIMET E FUNDIT

Ata që ecin vetëm

Nga Prof. Dr. Xhavit LIPAJ, Zvicër

Nuk ika prej turmës se e urreja,

por se zhurma e saj ma mbyste heshtjen.

Ata kërkonin pasqyra ku të shihnin veten,

unë kërkoja humnerën ku të shihja shpirtin.

Ecja vetëm,

jo, se s’kisha kë me pas pranë,

por se rrugët e vërteta

janë aq të ngushta

sa kalon vetëm ndërgjegjja.

Më quajtën ujk,

se nuk lehja me qentë.

Më quajtën krenar,

se nuk kërkoja duartrokitje.

Më quajtën i humbur,

se nuk e njihnin drejtimin tim.

Por mali nuk pyet për emrin e erës,

as hëna për gjuhën e natës.

Kam mësuar se vetmia

nuk është mungesë njerëzish;

është prania e vetes.

Dhe shumë ikin prej saj,

se aty nuk mund të gënjesh askënd.

Njeriu që s’mund të rrijë vetëm

është rob i çdo shoqërie;

ai që pajtohet me vetminë

bëhet zot i botës së tij.

Prandaj endem nën hënë,

jo si mbret i pyllit,

por si shërbëtor i së vërtetës.

Se ujku i vetmuar

nuk është ai që mbetet pa tufë;

është ai që e kupton

se edhe mes mijëra njerëzve

secili lind vetëm,

mendon vetëm,

dhe në fund

kalon vetëm

portën e përjetësisë.

Dhe atëherë,

vetmia nuk është mallkim,

por prova e fundit

se ke jetuar si vetja,

e jo si hija e turmës.

Vetëm kështu …

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB