Përgatiti Dashnim HEBIBI
Një moment i rëndësishëm historik për diplomacinë e Republikës së Kosovës është shënuar më 12 qershor në Mbretërinë e Bashkuar. Ambasadori i Republikës së Kosovës në Londër, Shkëlqesia e Tij, Ilir Kapiti, siç mëson helveticALForum.ch ka ndarë me qytetarët shqiptarë kudo që ndodhen lajmin e shumëpritur për hapjen e shtëpisë së përhershme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në kryeqytetin britanik. Përmes një njoftimi të publikuar në rrjetet sociale, ambasadori Kapiti e cilësoi këtë zhvillim si një arritje të madhe për shtetin e Kosovës dhe një dëshmi të qartë të forcimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“12 qershori është një ditë e veçantë për Republikën e Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar. Me krenari shënojmë hapjen e shtëpisë së përhershme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Londër, një moment historik që pasqyron forcimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe përkushtimin tonë për ta përfaqësuar me dinjitet shtetin e Kosovës”, ka shkruar ambasadori Kapiti.
Selia e re diplomatike ndodhet në adresën:
9 Orme Court, London W2 4RL, United Kingdom
Hapja e kësaj godine të përhershme konsiderohet një hap i rëndësishëm në konsolidimin e pranisë institucionale të Kosovës në një nga shtetet më të rëndësishme partnere dhe mbështetëse të saj. Mbretëria e Bashkuar ka qenë ndër aleatët më të fuqishëm të Kosovës në rrugëtimin e saj drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike, ndërsa ky investim diplomatik simbolizon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve. Sipas ambasadorit Ilir Kapiti, ambasada e re nuk do të jetë vetëm një objekt diplomatik, por një qendër që do të forcojë më tej bashkëpunimin, miqësinë dhe partneritetin strategjik ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo pritet të shërbejë si një urë lidhëse më e fortë për promovimin e interesave shtetërore të Kosovës, për zhvillimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore dhe arsimore, si dhe për ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët e Kosovës që jetojnë dhe veprojnë në Britaninë e Madhe. Ky moment ka ngjallur krenari dhe emocione te shumë shqiptarë në mbarë botën, të cilët e kanë mirëpritur lajmin si një tjetër dëshmi të avancimit dhe afirmimit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

Në fund të mesazhit të tij, ambasadori Ilir Kapiti ka uruar qytetarët e Kosovës për këtë sukses të rëndësishëm, duke shprehur besimin se ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri plot mundësi dhe arritje të tjera diplomatike.
“Urime Kosovë, dhe suksese të mëtejshme në këtë kapitull të ri e të rëndësishëm!”, përfundon mesazhi i ambasadorit.
Hapja e shtëpisë së përhershme të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Londër mbetet një ngjarje me peshë të veçantë shtetërore dhe diplomatike, e cila dëshmon jo vetëm pjekurinë institucionale të Kosovës, por edhe respektin dhe partneritetin e fortë që ajo gëzon me Mbretërinë e Bashkuar, transmeton helveticALForum.ch.




