Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së qendrave të votimit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së çdo vote të hedhur nga qytetarët në procesin zgjedhor.
Në një mesazh publik, Kurti deklaroi se vullneti i qytetarëve i shprehur gjatë zgjedhjeve të sotme tashmë ndodhet brenda kutive të votimit dhe se mbrojtja e tij është thelbësore për garantimin e legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor.
“Vullneti i qytetarëve i shprehur në zgjedhjet e sotme është brenda kutive të votimit. Mbrojtja e tij është kusht i pandashëm i legjitimitetit dhe kredibilitetit të procesit zgjedhor”, ka shkruar Kurti.
Ai u ka bërë thirrje komisionerëve dhe vëzhguesve që të kryejnë me përgjegjësi detyrat e tyre gjatë procesit të numërimit dhe administrimit të votave, duke theksuar se mbi ta rëndon një përgjegjësi e rëndësishme institucionale.
“Në këto momente, sytë, veshët dhe vëmendja jonë janë te ju komisionerë dhe vëzhgues. Mbi juve peshon një përgjegjësi e lartë institucionale dhe fisnike”, është shprehur ai, transmeton rtk.
Deklarata e Kurtit vjen në përfundim të procesit të votimit, ndërsa pritet fillimi i numërimit të votave dhe publikimi i rezultateve preliminare nga institucionet përgjegjëse.




