Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin të votojnë masivisht. Albin Kurti iu drejtua mediave edhe në gjuhën serbe, ku u shpreh që të votohet për ata që punojnë për të mirën e tyre.
“Sa më e lartë të jetë dalja e qytetarëve në zgjedhje, aq më i madh është legjitimiteti i institucioneve dhe aq më solid stabiliteti i tyre. Sot vendosin ata që votojnë”, bëri thirrje Kurti.
E njëjta thirrje erdhi edhe nga kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini.
“Ftoj qytetarët e Kosovës që të dalin të votojnë dhe ta marrin Kosovën në duart e veta. Kosova iu përket vetëm qytetarëve dhe ata duhet ta thonë fjalën e tyre sot”.
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza pasi votoi deklaroi se sot vendoset për katër vitet e ardhshme.
“Ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Ne sot vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme”, u shpreh ai.
Kryetari i nderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj votoi i shoqëruar nga nëna e tij në Gllogjan. Ndërsa Lista Serbe si në çdo proces votoi në mënyrë të organizuar në Mitrovicë të Veriut.
Pasi votoi në Pejë, kreu i KQZ-së Kreshnik Radoniqi bëri me dije se KQZ do të kontrollojë 10 për qind të të gjitha vendvotimeve, në mënyrë që të vlerësohet nëse ka nevojë për rinumërim apo jo.
“KQZ do të bëjë kontrollin e 10 për qind të të gjitha vendvotimeve pasi të kthehet materiali sensitiv dhe do të kontrollojë 10 për qind të kutive të votimit. Më pas do të shohim trendin nëse do të ketë nevojë për rinumërim apo jo. Sa i përket funksionimit të tavolinës së numërimit, në tavolinën e numërimit do të ketë edhe një monitor shtesë, në mënyrë që zyrtarët të mund ta përcjellin procesin e numërim.”
Mbi 1.9 milionë qytetarë votojnë sot për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të ri, ndërsa një ditë më parë u mbyll procesi i votimit për diasporën, transmeton rtsh.




