Prishtinë, 6 qershor 2026 – Procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës po zhvillohet pa probleme në të gjitha misionet diplomatike të planifikuara, ndërsa deri në orën 13:00 kanë votuar 10,804 shtetas të regjistruar, njoftoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në konferencën e dytë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se me hapjen e vendvotimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, procesi i votimit tashmë është aktiv në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në SHBA dhe Kanada, procesi i votimit po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës në 18 shtete të ndryshme të botës”, deklaroi Elezi.
Sipas të dhënave të raportuara nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 kanë votuar 38.97 për qind e votuesve të regjistruar, përkatësisht 10,804 nga gjithsej 27,724 shtetas të regjistruar për këtë formë votimi.
KQZ rikujtoi se vetëm votuesit e regjistruar paraprakisht për votim në përfaqësitë diplomatike kanë të drejtë të votojnë më 6 qershor, pasi në listat zgjedhore të dërguara në ambasada dhe konsullata figurojnë vetëm emrat e qytetarëve që kishin zgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë periudhës së regjistrimit.
Votimi po zhvillohet në 17 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës, të shpërndara në Gjermani, Zvicër, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Belgjikë, Norvegji, Austri, Suedi, Slloveni, Danimarkë, Itali, Turqi, Kroaci, Holandë, Republikën Çeke, Hungari, SHBA dhe Kanada.
Në total, procesi po organizohet në 47 vendvotime të vendosura në 30 përfaqësi diplomatike.
Mbi 3 mijë votues në orët e para
Në konferencën e parë të mbajtur gjatë paradites, KQZ kishte njoftuar se deri në orën 09:00 kishin votuar 3,117 qytetarë, ose 11.24 për qind e votuesve të regjistruar.
Procesi kishte nisur fillimisht në ambasadën e Kosovës në Ankara dhe në konsullatën në Stamboll, ndërsa më pas ishte zgjeruar në përfaqësitë diplomatike në Evropë. Votimi në SHBA dhe Kanada filloi në orën 13:00 sipas kohës së Kosovës, për shkak të dallimit kohor.
KQZ pritet të publikojë të dhëna të reja gjatë ditës, ndërsa procesi i votimit të diasporës po konsiderohet një ndër komponentët e rëndësishëm të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.




